Gjykata Administrative, Biznesi presion PS për të hyrë në kuvend
Të gjitha shoqatat e biznesit në Shqipëri, i kanë kërkuar dje forcave politike të futin në axhendën e Kuvendit miratimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative. Indirekt, presioni i 28 shoqatave, të kryesuara nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma Shqiptare e Tregtisë, bëhet për Partinë Socialiste, e vetmja forcë politike që ka bojkotuar Kuvendin e ri. Miratimi i ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative kërkon 84 vota, kuorum ky i pamundur nga Kuvendi, pa pjesëmarrjen e Partisë Socialiste. Në fakt, miratimi i këtij ligji, ishte në axhendën e Kuvendit të shkuar, në fund të mandatit të tij. Por, mungesa e PS dhe aleatëve të saj, në seancën e 11 majit, krijoi edhe atëherë mungesë kuorumi. Në njoftimin e djeshëm, theksohet se, 28 organizata që përfaqësojnë komunitetin e biznesit në Shqipëri, të organizuar në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatës Administrative, kanë ndërmarrë një fushatë të koordinuar, që përfshin dhe publikun e gjerë, për të kërkuar miratimin sa më parë nga Parlamenti të projektligjit për Gjykatën Administrative. Sipas tyre, miratimi i ligjit do t’i hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion, të cilin bizneset shqiptare e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore. “Ngritja e Gjykatës Administrative do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. Prandaj, fushata synon kontributin e të gjithëve për miratimin e ligjit, duke e ngritur këtë çështje mbi rrjedhën e politikës së ditës.” Pjesëmarrësit e Fushatës në Përkrahje të Gjykatës Administrative janë të angazhuar të punojnë intensivisht, përmes takimeve me vendim-marrësit, angazhimit të bizneseve dhe qytetarëve në rrethe, si dhe një fushate në media, deri në miratimin me sukses të ligjit. “Ngritja e Gjykatave Administrative kërkon, po ashtu, angazhimin e deputetëve nga të gjitha partitë parlamentare. Më shumë vonesa në miratimin e ligjit do të thotë kosto shtesë dhe energji të humbura, kur shfrytëzimi më i mirë i tyre do të sillte përfitim për të gjithë shoqërinë”, theksohet në njoftimin e përbashkët të 28 shoqatave të biznesit në Shqipëri.