SHBA: Zgjedhjet përmbushën shumicën e standardeve
Komisioni amerikan të Helsinkit bënë thirrje për riangazhimin e SHBA-së në Ballkan, duke kërkuar që udhëheqësit evropianë të hartojnë një rrugë të qartë për integrimin e vendeve të këtij rajoni në BE dhe në NATO. Lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons tha se: “Shqipëria bëri përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke përfshirë përmirësimet në regjistrimin e votuesve, kartat e identitetit dhe kornizën ligjore”. “Sipas vlerësimeve të ODIHR-it, zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e standardeve, megjithatë nuk arritën të përmbushnin standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike. Fushat në të cilat duhen bërë përmirësime janë numërimi i votave, mbulimi i zgjedhjeve nga media dhe presioni i krijuar nga partitë politike”. Zgjedhjet në Shqipëri i përshëndeti edhe përfaqësuesi suedez, Bjorn Lyrvall. “Shqipëria ka ecur gradualisht drejt integrimit evropian, proces ky që ka marrë hov gjatë viteve të fundit. Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së këtë muaj ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për t’ia kaluar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimit komisionit përkatës. Por siç treguan edhe zgjedhjet e 28 qershorit, rruga drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria duhet të shtojë reformat në sistemit juridik, dhe të luftojë më me efikasitet krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha Lyrvall.