E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, drafti hiqet nga rendi i ditës në Kuvend

TIRANE-  Është hequr nga rendi i ditës pr/ligji për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, miratimi i së cilit kërkon minimalisht 84 vota. NEWS24 raporton se për këtë është rëndë dakord në Konferencën e Kryetarëve.

Seanca në Kuvend nisi duke mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili, më 9 shtator, mbeti i vrarë në një atentat me minë me telekomandë mu në qendër të Vlorë.

Rendi i punimeve të ditës së sotme parashikon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Francës për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar, disa shtesa në ligjin "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë", si dhe ligjin "Për Urdhërin e Infermierit". Një pikë e rëndësishme e axhendës së sotme parlamentare është dhe interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço,e thirrur nga deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri për të dhënë sqarime lidhur me problematikën e minatorëve dhe veçanërisht për situatën e krijuar kohët e fundit në minierën e Bulqizës, si dhe plotësimi i vendeve vakante në disa institucione

PS DJE:NUK VOTOJME DRAFTIN
Partia Socialiste deklaroi dje se nuk do të votojë në seancën e sotme plenare projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, miratimi i së cilit kërkon minimalisht 84 vota.

Kjo është bërë dje e ditur nga numri dy i grupit kuvendor të PS-së, Erjon Braçe, i cili në faqen e tij personale në rrjetin social “Facebook” ka pretenduar se “Jozefina Topalli gënjen! Nuk ka patur konsensus në Konferencën e Kryetareve për ligjin ‘Për Drejtësinë Administrative’. Futja në rendin e ditës së punës së Kuvendit për nesër është një provokim i ndyrë! Ne nuk jemi në Kuvend për të votuar ligjet e Berishës, thjesht arrna kur duhet një reformë thelbësore e sistemit të drejtësisë”, është shprehur Braçe.

Reagimi i tij erdhi fill pasi kryeparlamentarja Topalli, deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kiesevetter se “Në konferencën e kryetarëve me unanimitet ne kemi përcjellë në seancë kalendarin tre javor i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra, kërkojnë edhe votën e opozitës.

Mes këtyre ligjeve është edhe ligji për Gjykatat Administrative por ka edhe shumë kode të tjera të cilat kërkojnë votën e të gjithë grupeve parlamentare, të të gjithë forcave politike, siç keni qenë dëshmitarë, ky kalendar është votuar me unanimitet, është kaluar në seancën plenare pa asnjë kundërshti dhe unë shpresoj se të gjitha forcat politike, të gjitha grupet parlamentare do të jenë luajal në qëndrimet e tyre”.

Në funksion të këtij qëndrimi ajo deklaroi se mazhoranca është e angazhuar për të bashkëpunuar me opozitën për të gjitha ligjet, ndërsa theksoi se shpreson që opozita të tregojë me vepra ato që i ka shprehur me fjalë.

Deklaratat u kryeparlamentares u bënë pas një takimi me deputetë të bundestagut gjerman, kreu i të cilit i bëri thirrje të dy palëvë që të bashkëpunojnë për procesin integrues të vendit.

NACO INTERPELANCE PER MINATORET
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço është thirrur sot në interpelanca nga deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri për të dhënë sqarime lidhur me problematikën e minatorëve dhe veçanërisht për situatën e krijuar kohët e fundit në minierën e Bulqizës
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›