E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, drafti hiqet nga rendi i ditës

TIRANE-  Është hequr nga rendi i ditës pr/ligji për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, miratimi i së cilit kërkon minimalisht 84 vota. Kryeparlamentarja Topalli me kërkesë të dy kryetarëve të Grupeve Parlamentare vendosi të shtyjë votimin e pr/ligjit, bazë për ngritjen e Gjykatës Administrative, por duke e lënë atë sërish në kalendarin e punimeve.
Një ditë më parë kreu i PS-së Edi Rama deklaroi se opozita do të angazhohej për reformat por nuk do të jepte asnjë votë dhe karton jeshil për ligjet me 3/5 sa për t’i hedhur hi syve Brukselit.
Edhe numri dy i grupit kuvendor të PS-së, Erjon Braçe, në faqen e tij personale në rrjetin social “Facebook” deklaroi dje se nuk do të votojë draftin. Ai pretendoi se “Jozefina Topalli gënjen! Nuk ka patur konsensus në Konferencën e Kryetareve për ligjin ‘Për Drejtësinë Administrative’. Futja në rendin e ditës së punës së Kuvendit për nesër është një provokim i ndyrë! Ne nuk jemi në Kuvend për të votuar ligjet e Berishës, thjesht arrna kur duhet një reformë thelbësore e sistemit të drejtësisë”, është shprehur dje Braçe.
Reagimi i tij erdhi fill pasi kryeparlamentarja Topalli, deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kiesevetter se “Në konferencën e kryetarëve me unanimitet ne kemi përcjellë në seancë kalendarin tre javor i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra, kërkojnë edhe votën e opozitës.
Mes këtyre ligjeve ishte edhe ligji për Gjykatat Administrative

Seanca në Kuvend nisi duke mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili, më 9 shtator, mbeti i vrarë në një atentat me minë me telekomandë mu në qendër të Vlorë.

Rendi i punimeve të ditës së sotme parashikon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Francës për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar, disa shtesa në ligjin "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë", si dhe ligjin "Për Urdhërin e Infermierit". Një pikë e rëndësishme e axhendës së sotme parlamentare është dhe interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço,e thirrur nga deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri për të dhënë sqarime lidhur me problematikën e minatorëve dhe veçanërisht për situatën e krijuar kohët e fundit në minierën e Bulqizës, si dhe plotësimi i vendeve vakante në disa institucione
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›