Gjykata Administrative nuk i lejon më Edvinit ta mbajë bashkinë si oborrin e tij personal
Pas bojkotit të PS-së, mazhoranca është e vendosur për votimin e ligjit të “Gjykatës Administrative”, deri në fund të mandatit të Kuvendit
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në parlament se mazhoranca mbetet e vendosur ta përdorë deri në fund mandatin e Kuvendit për të votuar projektligjin “Për gjykatat administrative”. Në punimet e seancës së pasdites së djeshme në Kuvend kryeministri Berisha, shprehu keqardhje për bojkotimin e deputetëve të majtë.
“Duke shprehur keqardhje që nuk e votojmë këtë projektligj, mendoj se pavarësisht nga fushata elektorale, në rast se pala tjetër, ose LSI, apo ndonjë forcë tjetër politike, vendos t’i bashkojë votat me ne, të mblidhemi në sesion të veçantë për ato 84 vota dhe ta votojmë projektligjin si detyrim dhe respekt ndaj biznesit, i cili ka nevojë të domosdoshme”, tha kryeministri, duke shtuar se ky parlament, mandatin e ka deri në ditën e mbledhjes së parlamentit tjetër, i cili nuk mund të mblidhet para skadimit të mandatit të tij.
“Në çdo kohë ne jemi të vendosur të përdorim mandatin tonë për ta votuar këtë ligj, nëse pala tjetër është e gatshme”, tha Berisha.
Kryeministri shtoi se ligji për gjykatat administrative është ligji më i shumë pritur dhe më i mirëpritur, më i shumëkërkuar nga biznesi shqiptar. Është jashtëzakonisht e dhimbshme, për të mos thënë e vajtueshme, tha kryeministri, që një ligj i cili ka drejtpërdrejtë lidhje interesat e biznesit, një institucion i cili ngrihet për të mbrojtur bizneset nga arbitraritetit e agjencive të ekzekutimit, një ligj i kërkuar me insistim në mënyrën më të përsëritur nga deputetë të të gjithë spektrit politik dhe me qëllimin më të mirë.
Kreu i qeverisë akuzoi kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për bojkotin e opozitës, ndaj ligjit të gjykatave administrative.
“Ky ligj është hartuar me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, me një standard të ri në këtë vend. Opozita bojkoton dhe refuzon votat e saj. Refuzon votat e saj sepse urdhërohet nga kryetari i bashkisë së Tiranës, të cilit ky ligj nuk i lejon më ta mbajë bashkinë si oborrin e tij personal. Ky ligj nuk i lejon më atij që qindra e qindra firma ndërtimi në Tiranë të preferohen vetëm katër prej tyre dhe më së shumti dy prej tyre. Ky ligj nuk i lejon kryetarit të bashkisë së Tiranës që nga dhjetëra e dhjetëra studio projektimi, qindra arkitektë të shkolluara në shkollat më të mira në Evropë dhe në botë të injorohen për miqtë e tij, dhe vetëm dy studio të marrin 59 leje ndërtimi, vetëm ato studio që është bashkëpronar kryetari i bashkisë. Vetëm një studio, e cila drejtohet nga shefi i urbanistikës, dhe sekretari teknik të marrin 19 leje ndërtimi nga 28 leje gjithsej”, u shpreh më tej kreu i qeverisë.
Projektligji “Për gjykatat administrative” është një nga draftet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. Për hartimin e këtij projektligji është marrë për bazë ekspertiza më e mirë ndërkombëtare, pasi, sipas ekspertëve të ministrisë së Drejtësisë, gjykimi i një mosmarrëveshje administrative është një risi për Shqipërinë.
Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancën e djeshme përmbyllëse. Bojkoti i tyre në këtë seancë u paralajmërua paradite nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Lekaj, pasi, siç u shpreh ajo, “Konferenca e kryetarëve nuk është mbledhur për të përcaktuar rendin e ditës së seancës së sotme (djeshme)”.
Me bojkotin e tyre të djeshëm të seancës plenare, socialistët demonstruan se nuk mund të dalin nga ajo që Rama e cilëson politikë të vjetër, nëpërmjet së cilës, ka vetëm një pikësynim destabilizimin e situatës parazgjedhore në Shqipëri.
Persona pranë kësaj partia tregojnë se PS është duke “hetuar” për të gjetur arsye të tjera për të destabilizuar situatën politike në vend. Rama nuk mund t’ia lejojë vetes që deputetët socialistë të votojnë pro projektligjit për “Gjykatën Administrative” sepse është i përlyer deri në grykë në abuzime dhe korrupsion. Ndërkohë dje në seancë u paraqit edhe raporti i komisionit hetimor për lejet e dhënë nga Edi Rama, në mënyrë antiligjore.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi dje në mbrëmje me 76 vota projektvendimin për mbylljen e punimeve të Legjislaturës së XVII-të në 28 maj. “Kuvendi vendosi që Legjislatura e XVII-të e Kuvendit të Shqipërisë të mbyllet më 28 maj 2009”, citoi kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli projektvendimin e miratuar në seancën e djeshme.