E Diel, 1 Nëntor 2026

Oferta elektorale – Pronat, zgjidhje 4-vjeçarin e ardhshëm, gati kreditë edhe për 6 mijë të pastrehë

TIRANE - Qeveria “Berisha”, në vetëm katër vite, bëri një revolucion të vërtetë fiskal, nëpërmjet uljes së ndjeshme të taksave dhe rritjes progresive të pagave dhe pensioneve. Gjatë intervistës mbrëmë në emisionin “Ora e Debatit” të televizionit “Ora News”, kryeministri Sali Berisha, deklaroi se “qeveria që unë drejtoj është për buxhetimin dhe të ardhurat”. Kryeministri u shpreh se nivelet e taksave pësuan zbritje, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.
“Taksat u ulën nga 25 në 10, tatimi mbi të ardhurat nga 20 në 10, kontributet nga 29 në 15. Taksa e biznesit të vogël nga 3 në 1.5%. Tregu fitoi lirinë fiskale. Revolucioni fiskal bëri të mundur rigjallërimin e ekonomisë së vendit dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë e njëherazi rritje pagash e pensionesh”, tha Berisha, duke shtuar se edhe të ardhurat nga akcizat janë 3 herë më të larta se katër vite më parë, nga 18 miliardë në vitin 2005 në 44 miliardë në vitin 2009.
Për sa u takon pagave, Berisha përmendi se “ishin në një mesatare për infermierët rreth 150 mijë lekë në muaj, ndërsa aktualisht janë 310 mijë lekë, për arsimtarë ishte 230 mijë janë, tani janë 460 mijë, për mjekët ishin vetëm 220 mijë lekë, janë plot 470 mijë lekë”.
Paga mesatare, tha kryeministri, nga 225 mijë në vitin 2005 është 550 mijë, më e lartë se e disa vendeve të BE-së.
“Të dhënat mbi pensionet minimale në fshat nga 36 mijë lekë të vjetra në 72 mijë lekë të vjetra që është aktualisht, ndërsa në qytet ishte 83 mijë, sot është 124 mijë lekë. Ndërsa ndihma ekonomike në vitin 2005 ishte 2.2 miliard, aktualisht është 4.7 miliardë”, theksoi kryeministri Berisha.

Pronat
Kryeministri Sali Berisha, u shpreh lidhur me çështjen e pronave, se qeveria që ai drejton do t’i japë zgjidhjen e sigurt gjatë mandatit të dytë. Sipas kryeministrit, shumica e problemeve nuk janë administrative, por gjyqësore.
“Janë probleme që kanë përcaktimet e tyre në kodet civile të vendit. Partia Demokratike, ka pasur një program që i ka bërë shqiptarët pronar, është programi i kësaj partie. Është kjo parti që mbajti në parlamentin shqiptar në vitin 1991, kthimin e pronësisë. Çështja e pronës do të marrë zgjidhje të sigurt gjatë mandatit të dytë. Koncepti i pronës nuk është më për fat të keq, në legjislacionin evropian një koncept i dhënë njëherë e përgjithmonë, sepse veprimi i tij i quajtur mosbesim, çfarë do lloj ligji të bësh ndaj tij, është jashtë standardit evropian. Reformën e pronës, nuk e mbyllëm dot brenda këtij mandati, por që e futëm në rrugën e zgjidhjes e cila finalizohet 4-vjeçarin e ardhshëm”, garantoi kryeministri.

Të pastrehët
“Premtuam 4 mijë apartamente kredia fleksibël është për 6 mijë apartamente. Një vend që ka korrupsion, kriterin e parë duhet të ketë luftën ndaj tij. Në realitet bëhen rreth 7200 apartamente. Ka mbi 1200 familje që kanë marrë banesat dhe janë mbi 6 mijë të tjera që janë në proces”, u shpreh midis të tjerave Berisha, për problemin e të pastrehëve.
Ndërsa duke u ndlaur edhe te legalizimet, ai bëri të ditur se procesi është drejt fundit.
“Ligji gjeti një kundërshti me Gjykatën Kushtetuese. Qeveria nuk mund të humbasë as të mos respektojë Gjykatën Kushtetuese, sido që të jetë vendimi i saj. E amenduam sërish ligjin e dërguan përsëri në Gjykatën Kushtetuese kundërshtarët e procesit të  legalizimit. Sot procesi është i përfunduar, po bëhet kalimi i dokumenteve nga  ALUIZNI të zyra e regjistrimit të pasurive, procesi është drejt fundit. Vetëm në Tiranë para dy muajsh janë shpërndarë mbi 11 tapi pronësie”, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha shtoi se zonat turistike mbeten përsëri problem, që meriton vëmendje të plotë, gjatë procesit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›