E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mandatin e dytë s’do të ketë shqiptarë të jetojë me 2 dollarë në ditë”

TIRANE - Qeveria do t’i japë fund varfërisë së shqiptarëve, nëpërmjet angazhimit dhe reformave të gjëra, ashtu siç bëri gjatë mandatit të parë, ku në harkun kohor të vetëm katër viteve, dyfishoi pagat, pensionet dhe ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Nga Kruja, kreu i qeverisë Sali Berisha premtoi se në mandatin e dytë nuk do të ketë shqiptarë të jetojë me nën dy dollarë në ditë.
“Unë jam i vetëdijshëm se përsëri ka shqiptarë që përjetojnë dhembjen e skamjes, por nga ky shesh unë i jap fjalën atyre se në mandatin e dytë nuk do të ketë shqiptar të jetojë me nën dy dollarë në ditë. Ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, po ne do t’i japim asaj goditjet më të rënda dhe shqiptarët do të shkëputen një herë e mirë nga ky armik i egër i tyre. Këto katër vite ne e kemi shndërruar Shqipërinë në një kantier ndërtimi dhe unë besoj se çdo njëri prej jush, pavarësisht nga bindjet politike, e ndjen këtë në fshatin e tij, në lagjen e tij, në qytetin e tij, në rrethin e tij dhe në vendin e tij. Një kryetar komune jo i koalicionit tonë, një javë më parë më dërgoi një mesazh ku thoshte se; ‘babai im është 80-vjeç dhe me kërkoi që të shihte rrugën Durrës-Kukës që po ndërtohet. E çova tim atë të shihte rrugën dhe tunelin. Që atë ditë në shtëpinë tonë është vendosur fotografia e rrugës dhe babai im bën një mijë urime për të’. Por, ajo është vetëm njëra prej rrugëve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por rrugë të tilla po ndërtohen nga Konispoli në Theth, po ndërtohen në të katër anët e vendit. Kjo alternativë po ndryshon qartësisht jetën tonë, po ndryshon emrin tonë, po ndryshon qenien tonë. Kjo alternativë që ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por që ka fituar një besim në mbarë botën për biznesin. Kjo është alternativa jonë. Këto katër vite në fshatrat shqiptare kemi investuar 1.6 miliardë dollarë në rrugë dhe rrugica, në ura, në shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës dhe kanalizime. Një ditë vizitova një nga fshatrat e Fushë Krujës dhe më pritën me krenari të madhe. Më thanë se ne themi që jemi Las Vegas i Fushë Krujës, sepse në çdo derë shtëpie shkonte asfalti. Pra, e vërteta është që Shqipëria po ndryshon”, u shpreh kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›