E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet “kafkëthyesi” i Edvinit, artikulon synimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje

Afrimi i 28 qershorit ka sqaruar oborrin e Edvinit se e vetmja mundësi për të mbetur në politikë është mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve, prandaj për të përgatitur terrenin, Kastriot Islami foli sot qartazi se kishin ndërmend ta prishnin krejt procesin zgjedhor


Nuk ka dyshim se synimi politik i Edvinit është prishja e procesit zgjedhor, si vetmja mënyrë për ta zgjatur jetën e tij politike, edhe pas dështimit marramendës në zgjedhjet e pritshme të 28 qershorit. Sondazhet e porositura edhe prej vetë Edvinit po konfirmojnë katastrofën elektorale që e pret, prandaj edhe kalecët e tij në Partinëa Socialiste, që janë të vjetër e të rinj, janë thirrur që t’i kthehen versionit të vjetër të kontestimit të procesit, çka do të parakuptonte edhe mospranimin e rezultatit e mosmarrjen e përgjegjësive, në përfundim të zgjedhjeve.


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste Kastriot Islami, i cili në mjediset mediatike njihet si “kafkëthyesi”, meqenëse u bë i famshëm në 1996, kur kërcënoi rivalët e vet politikë se do t’u thyente kafkat (përtej zmadhimeve, një realitet i tillë, në fakt u sponsorizua vetëm një vit më vonë), doli sot në mesditë para gazetarëve, ku renditi një mori problemesh që sipas tij ekzistojnë në këtë periudhë parazgjedhore. Islami numëroi ato që i prishin gjumin Edvinit, e që sipas tij “kanë shqetësuar maksimalisht publikun vendas dhe partneret ndërkombëtarë dhe po vënë në rrezik dështimi zgjedhjet e 28 qershorit 2009”. “Mungesa e vullnetit të qeverisë” dhe “veprimet e saj selektive që kanë vënë në rrezik pajisjen e votuesve me letërnjoftimi”, foli sot kasandra Islami. “Standardi i identifikimit të votuesve ka shumë gjasa të shfaqet i cenuar disa jave para fillimit te zgjedhjeve. Shifrat dhe analizat nuk janë premtuese nëse vazhdohet me të njëjtat ritme”, - paralajmëroi Islami, duke i paraprirë edhe njëherë një mundësie për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe shtyrjen e saj për në vjeshtë, sikundër qarkullon si version në qarqet e majta. “Përfundimisht mund t’ju them se situata jo premtuese nëse vazhdon me këto ritme është shumë pranë dështimit. Ripërsëris se ky standard i zgjedhjeve me ndikim të konsiderueshëm në rezultatin zgjedhor ka shumë gjasa të dhunohet rëndë nëse qeveria dhe të gjithë strukturat e saj vazhdojnë me të njëjtën mënyrë”, - paralajmëroi kasandra e Edvin Ramës në konferencën që rikthen edhe njëherë drojën se Rama ka prishjen e procesit zgjedhor si të vetmen mundësi për të zgjatur avenirin e tij politik (duke mos njohur zgjedhjet), megjithë katastrofën elektorale të 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›