“Edi Rama propozon për librat shkollorë modelin bashkiak e Eftim-Ndërtimit”
Deklaron Zëvendëskryeministri Genc Pollo
TIRANE - Zëvendëskryeministri, Genc Pollo pati një takim me mësues e nxënës në një shkolle të arsimit bazë 9-vjeçar gjatë të cilit, ndër të tjera deklaroi. Pollo u shpreh se “ne rimbursojmë të gjithë prindërit për shpenzimet e librit shkollor,veçanërisht ata në nevojë, të cilët do të marrin 100% të shpenzimit. Edi Rama propozon të kthehemi në skemën e 8 viteve të shkuara të PS, kur premtoheshin libra falas për të gjithë dhe të gjithë prindërit i blinin librat shkollorë në tregun e zi me super çmim, ndërsa fondet e subvencionit i merrnin shtypshkronjat me tender”.
Edi Rama, tha më tej Zëvendëskryeministrit Pollo, me dy propozimet e vetme konkrete, atë të librit shkollor dhe të akcizës së naftës për bujqësinë, tregohet konsekuent: Rama thotë hapur se modelin e tij bashkiak të Ndërtim-Eftimit ai do ta ngrejë në rang Republike.
Kompensimi i librit shkollor është përqendruar në arsimin bazë 9-vjeçar. Fëmijët me aftësi të kufizuara kompensohen 100%, nga ky vit edhe për familjet në nevojë. Që nga viti 2007, kompensimi bëhet kundrejt faturës së shitjes, mënyra që përdoret gjerësisht në Evropë dhe që garanton korrektësi maksimale.