Biznesi përgatitet për zgjedhjeve, në shkurt votohet për liderin e ri
Ervin KOÇI
Jo vetëm politika por edhe komuniteti i biznesit në vend do të shkojë në zgjedhje. Por ndryshe nga gara e ethshme e zgjedhjeve politike që bëhen një herë në katër vjet, komuniteti i biznesit në vend e kryen këtë proces një herë në 2 vjet dhe në mënyrë shumë më të qetë dhe të kulturuar. Procesi zgjedhor ka përfshirë aktualisht sektorin e biznesit ku kanë nisur lëvizjet e para për të zgjedhur fillimisht strukturat drejtuese që do të parapërgatisin këto zgjedhje të biznesit shqiptar. Pak ditë më parë, sektori i turizmit u njoh me strukturën e re drejtuese, ndërsa shumë shpejt pritet të zhvillohen zgjedhjet edhe për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Në Konferencën e 3-të vjetore, anëtarët e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), zgjodhën Enver Mehmetin si president të saj për një mandat 2-vjeçar, duke pasuar Kliton Gërxhanin, i cili nuk rikandidoi. Mësohet se për presidentin e ATA-së pati vetëm një kandidat, dhe zgjedhja e tij kaloi formalisht, në mungesë të një gare të plotë. Për Dhomën e Tregtisë së Tiranës, zgjedhjet e reja pritet të zhvillohen në shkurt, ku mendohet se gara do të jetë e fortë. Kryetari aktual i Dhomës, Nikolin Jaka ka njoftuar anëtarët për zgjedhjen e bordit të ri drejtues, i cili më pas do të votojë për liderin e biznesit të Tiranës.
Fushata
Zyrtarisht nga Dhoma mësohet se është hapur “fushata” e zgjedhjeve për organet drejtuese të DHTIT-së. Në mbështetje të pikës 4, Nenit 102 dhe të nenit 11, 15, 17 dhe 20 të Ligjit Nr. 9640, datë 9/11/2006 “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë”, në zbatim të udhëzimit Nr. 915, datë 27/12/2010, të Ministrit të METE-s, për zhvillimin e zgjedhjeve në organet e Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë në të gjitha qarqet, do të zhvillohen zgjedhjet për: A) Asamblenë e Dhomës; B) Kryesinë e Dhomës; C) Kryetarin e Dhomës;
D) Komisionin e Auditimit. Zgjedhjet e organeve të Dhomës zhvillohen me votim të fshehtë, sipas grupeve të biznesit të regjistruar në Dhomë. Asnjë subjekt tjetër, përveç anëtarëve të Dhomës nuk mund të marrë pjesë në votim. Sipas Asamblesë së Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës, e mbledhur me datë 20/10/2010 është vendosur që zgjedhjet të zhvillohen brenda datës 10 shkurt 2011. Gjithashtu, këto ditë është hapur edhe fushata për zgjedhjen, me votim të përbërjes së Komisionit të Zgjedhjeve, i cili administron procesin e zgjedhjeve për organet e Dhomës, që mbështetet nga Sekretari i Dhomës dhe grupi i punës, i ngritur për këtë proces. Komisioni Zgjedhor përbëhet nga kryetari, 4 anëtarë, si dhe një Sekretar i Komisioni i zgjedhur nga stafi i Dhomës.
Grupet e biznesit
Grupet e kompanive të biznesit që përbëjnë tërësinë e anëtarëve të Dhomës, janë grupet e Ndërtimit, Industrisë, Tregtisë, Shërbimeve, si dhe Transport-Telekomunikacionit. Këto grupe, duhet të propozojnë kandidatin për në Komisionin e Zgjedhjeve sipas datave të mëposhtme: Ndërtimi i bëri propozimet më datë 13 janar 2011, ku u zhvillua mbledhja me përfaqësuesit e firmave të ndërtimit, anëtare të Dhomës për vitin 2010. Industria e mbajti mbledhjen e saj më datë 13 janar 2011, me përfaqësuesit e firmave industriale. Më datën 14 janar 2011, u zhvillua mbledhja me përfaqësuesit e firmave tregtare, anëtare të Dhomës. Më datën 14 janar 2011, u zhvillua edhe mbledhja me përfaqësuesit e firmave të shërbimeve, anëtare të Dhomës. Në atë datë u bë edhe mbledhja me përfaqësuesit e firmave të transportit, anëtare të Dhomës. Mbledhjet u mbajtën pranë ambienteve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Gjithashtu, për të marrë propozimet e bëra nga çdo grup biznesi për komisionin e zgjedhjeve, Grupi i Punës njofton se ka filluar tërheqja e formularëve për anëtarët e Asamblesë, të cilat gjenden në sekretarinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Afati përfundimtar për tërheqjen dhe plotësimin e tyre është data 22 janar 2011, ora 16:00. Zgjedhjet për strukturat drejtuese të Dhomës do të mbahen më 5 dhe 6 shkurt 2011.
Elbasan, shtohen mbjelljet e ullirit
Në prefekturën e qarkut të Elbasanit gjatë vitit 2010 janë shtuar në 50% sipërfaqet e mbjella me ullinj,krahasuar me vitin 2009. Kërkesat e fermerëve për të përfituar subvencione nga qeveria për mbjelljen e ullirit ishin të shumta dhe 516 prej tyre përfituan një fond prej 124 milion lekësh të reja, çka stimuloi mbjelljen e kësaj kulture në këtë qark. Ndërsa për vitin 2011 priten subvencionime për shtimin e sipërfaqeve të mbjella arra, lajthi dhe gështenja. “Për vitin në vazhdim do të shtohen skema të reja dhe do të shtohet mbjellja e arrës, lajthisë, bajames. Njëkohësisht do të mbështeten financiarisht me 70% të mbulimit të interesit të kredisë për 5 vjet nga agropërpunuesit dhe agromekanizatorët”- tha Neshat Sadiku, drejtor në Drejtorinë Rajonale Bujqësore. Projekti për zhvillimin e ullirit, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare edhe për vitin 2011 pasi ka rritur ndjeshëm prodhimin kësaj kulture, si dhe të vajit të ullirit gjatë vitit 2010.
Ende nuk dihet kush do ta mbikëqyrë ndërtimin e Autostradës
Ministria e Transportit të Kosovës nuk i ka gati përgjigjet ndaj “gjykatës së tenderëve” në lidhje me urdhrin e kësaj të fundit për njërin nga tenderët milionësh që ka të bëjë me autostradën. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dërguar një letër urdhërese ministrisë duke specifikuar se mosnënshkrimi i kontratës me mbikëqyrësin e punimeve në autostradë paraqet rrezikim të interesit të përgjithshëm dhe se mund të shkaktojë humbjen e miliona eurove. Në ministrinë kosovare të Transportit thonë se, vendimi përfundimtar për vënien e firmës në kontratën apo edhe anulimin e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë, do të dihet brenda afatit të paraparë nga OSHP-ja. Zyrtarë të lartë të kësaj ministrie thonë se nuk kanë asgjë konkrete në lidhje me kërkimet mbi verifikimin e dokumentacionit financiar të konsorciumit italian “Merilino Progetti & Politecnica”, edhe pse kanë kaluar 4 muaj që nga dhënia e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë.
“BP”, marrëveshje me kolosin rus të energjetikes “Rosneft”
“BP” ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë ruse të energjetikës “Rsoneft”, për të përdorur rezervat e mëdha të gazit dhe naftës në pjesën ruse të Arktikut. Marrëveshja strategjike parashikon shkëmbimin e përvojave mes kompanive në eksplorimin e rajonit. Si pjesë e paktit, “Rosneft” do të marrë 5 për qind të aksioneve të “BP” në shkëmbim të rreth 9.5 për qind të aksioneve të saj. Kjo është marrëveshja e parë që nënshkruan “BP” që pas katastrofës në platformën “Deepëater Horizon” vitin e kaluar, që i kushtoi asaj miliarda dollarë. “Drejtuesit e ‘BP’-së e shohin këtë marrëveshje si pjesën e parë të lajmeve të mira që vijnë pas derdhjes katastrofike të naftës në Gjirin e Meksikës në prill”,- ka deklaruar redaktori i ekonomisë në BBC, Robert Peston.
17 Janar 2011