E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, sërish peng e një opozite që s’pranon të hetohet

14-08-2012 / Gazeta 55

Ndryshimet ligjore në Gjykatën e Lartë - PS bllokon ngritjen e Kolegjit Administrativ

Opozita duket në pozita të palëkundshme për të çuar deri në fund ecejaket e bllokimit të ngritjes dhe funksionimit të Gjykatës Administrative. Pasi u miratua ligji në parlament, gjithnjë për ngritjen e Administratives, funksionimi i saj mbetet sërish në dorën e pakicës parlamentare.
Mosdhënia e votave të socialistëve, para mbylljes së sesionit parlamentar në korrik, për projektligjin për Gjykatën e Lartë, po pengon edhe këtë gjykatë, e cila nga pikëpamja ligjore është ende në situatën e një ngërçi politik. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Arben Gjalpi, shpjegoi dje, se ende nuk është ngritur Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë, për shkak të bllokimit nga opozita të ndryshimeve ligjore, çka ndikon tek Gjykata Administrative. Por nga ana tjetër, Gjalpi tha se nga pikëpamja infrastrukturore, situata është tjetër.
“Ministria e Drejtësisë po avancon për ta vënë në funksion në afatet e përcaktuara, me konsensus mes dy palëve në ligjin organik për organizimin dhe funksionimin e gjykatës, që zgjidh mosmarrëveshjet e bizneseve apo të qytetarëve me shtetin, në një kohë të shkurtër”, u shpreh ai.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, Gjykata Administrative e Tiranës përfundon në nëntor, afro 2 muaj para se ajo të vihet ligjërisht në funksion. Po kështu, ai informoi se ka përfunduar tenderimi i Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, e cila do të jetë pranë asaj ekzistuese. Ndërkohë që, sipas Gjalpit, në proces pune janë edhe 5 gjykatat e tjera në qarqet e Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës, në mënyrë që nga pikëpamja infrastrukturore asgjë të mos mungojë më, në fillim të vitit 2013. Ajo çfarë zyrtari i lartë i Ministrisë së Drejtësisë thekson, është se me këto gjykata marrin fund gjyqet në zyrat e gjyqtarëve, për mungesë ambientesh.
“Ndonëse për shkak të bllokimit të saj nga opozita, fondi i qeverisë amerikane prej 16 milionë dollarësh për ndërtimin e kësaj gjykate u dogj, qeveria shqiptare ka ndjekur të njëjtat parime për vënien në funksion të saj edhe nga ana infrastrukturore, të përcaktuara që atëherë në programin për sfidën e mijëvjeçarit. Edhe planifikimi i buxhetit do të jetë i mjaftueshëm”, shtoi ai.
Përzgjedhja në Laprakë, e ngritjes së Gjykatës Administrative të Tiranës, tek Instituti i Kërkimeve Zooteknike për drejtorin, nuk ka qenë rastësore. Është marrë parasysh edhe ndikimi pozitiv i saj në zhvillimin e zonës, krijimi i hapësirave të bollshme, mbi të gjitha siguria e gjyqtarëve dhe qytetarëve. Muajt në vijim, deri në fund të vitit, paralelisht me përgatitjen e godinave në Tiranë dhe rrethe, do të përcaktohen dhe gjyqtarët që do të trajtojnë çështjet administrative, në varësi të fluksit që do të ketë çdo qark. Ligji për Gjykatën Administrative u miratua më parë nga Parlamenti, me konsensusin e opozitës, por tani kjo strukturë e drejtësisë është e bllokuar, pasi në ligjin e Gjykatës së Lartë, duhet të parashikohet ngritja e një kolegji të posaçëm që do të shqyrtojë çështjet administrative.
Me gjithë përpjekjet e bëra, mazhoranca nuk mundi të bindë socialistët të votojnë projektligjin për Gjykatën e Lartë. Demokratët në komisionin e ligjeve, bënë thirrje se votimi në korrik i këtij ligji, do të ishte momenti i përshtatshëm për votim. Por, socialistët kërkuan më shumë kohë në dispozicion për ta shqyrtuar. Ministri i Drejtësisë, Halimi, tha se opozita po nxjerr vetëm justifikime, pasi komisioni ka pasur kohë që ta shqyrtojë projektligjin, duke qenë se ministria e ka dorëzuar atë që në 8 qershor.
“Pra, ju keni pasur kohën nga data 8 qershor të shqyrtoni komplet draftin, dhe ai ka 13 nene”, ndërhyri Halimi, por pa rezultat, pasi projektligji u shty për në sesionin e ardhshëm parlamentar, në shtator.
 
Ndryshimet ligjore
Me ndryshimin e ligjit të Gjykatës së Lartë, trupa e saj shtohet me dy anëtarë. Të 19-ë anëtarët do të punojnë në tre dhoma, penale, civile dhe administrative. Vendimet për disa çështje do të merren jo më me 5, por me 3 gjyqtarë.
Kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe kandidimi i tyre, është i mirëpërcaktuar dhe transparent, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të bëhesh anëtar i Gjykatës së Lartë me ligjin e ri, do të kalosh patjetër dhjetë vite punë në shkallën e parë dhe 5 vite të tjera në apel. Nëpërmjet 13 amendamenteve preket procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kur përcakton se përpara dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, presidenti duhet të konsultohet me Parlamentin. Një çështje kjo, që ka hapur debate të forta kohët e fundit.
Për miratimin e këtij projektligji kërkohet shumicë e cilësuar e votave.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›