E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, sot seancë me grupet e interesit

Komisioni i Ligjeve

PS-ja pritet të paraqesë amendamentet për draftin e qeverisë.

Komisioni i Ligjeve do të nisë sot seancën e dytë të diskutimeve për miratimin e ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative. Një javë më parë, me konsensusin e të dyja palëve, drafti i ardhur nga qeveria u miratua në parim, duke i hapur rrugën për miratimin nen për nen. Në rendin e ditës për sot është parashikuar zhvillimi i seancave dëgjimore me një sërë aktorësh, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Konferencën Gjyqësore, Shoqatat e Gjyqtarëve, Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe komunitetin e biznesit. Në përfundim të këtyre dëgjesave, Komisioni do të vijojë me diskutimin e materialit, i cili nga ana e qeverisë mbrohet nga zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi. Ndërsa ditën e martë pritet që në Komision të paraqiten edhe amendamentet e Partisë Socialiste. Miratimi në parim është hapi i parë, shprehja e vullnetit politik, por debati në parim dhe nen për nen, dhe kryesorja, propozimet për zgjidhje parimore e për dispozitat konkrete, janë thelbi i çështjes, vullneti real për të bërë një ligj të mirë, që ti qëndrojë kohës, u shpreh javën e kaluar në Komision relatori socialist i këtij ligji, Armando Subashi. Sipas tij Projekti është një bazë e mirë, që e bën të mundshëm miratimin në parim të këtij projektligji nga ky Komision, për ti hapur rrugë debatit parimor për një sërë çështjesh të rëndësishme, si dhe shqyrtimin nen për nen për të bërë përmirësimet e nevojshme. Zhvillimi i seancës parlamentare ditën e mërkurë për shkak te festës së Nevruzit duket se do të shtyjë për javën e ardhshme miratimin në seancë të ligjit, që kërkon shumicë të cilësuar. Dy ditët e ardhshme pritet të jenë të ngjeshura për Komisionin e Ligjeve, për shkak se janë programuar edhe mbledhje pasdite, ku do të përfundojë miratimin nen për nen dhe kalimi në seancë i ligjit Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›