Berisha: Akti i Aleksandrit na ka bërë krenarë

Berisha me Aleksandër Pecin
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje familjen e nëntetarit Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit Eagle 4, i cili u plagos në krye të detyrës një muaj më parë në Afganistan. Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë shqiptare u tha se sot të gjithë ndihen krenarë me Aleksandrin, i cili kreu misionin në një nga zonat më të rrezikshme. Ky është një gëzim shumë i madh për Aleksandrin, për familjen, për miqtë, për bashkëluftëtarët e tij dhe për çdo shqiptar, që ndihet krenar me Aleksandrin dhe të gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan, të cilët operojnë në zonat më të nxehta të planetit, por dhe në misionin më fisnik, atë të paqes dhe ruajtjes së saj, u shpreh Berisha. Sipas tij në Bibël, paqeruajtësit quhen ushtarët e Zotit, në kuptimin që kanë mbrojtjen dhe bekimin e tij. Aleksandri është shembulli më i arrirë. Kaloi një situatë shumë të vështirë, por trimëria, burrëria, kuraja e tij dhe ndihma e Zotit bëri që ai të kthehet midis nesh shumë mirë. Ndaj dhe do ti uroj shumë suksese dhe do ta falënderoj me shumë mirënjohje dhe shumë respekt për aktin e tij burrëror, që bën krenar çdo shqiptar.
Kryeministri, vizitë treditore në Hungari
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, u nis dje për një vizitë treditore në Hungari, me ftesë të homologut të tij, Viktor Orban. Vizita përkon me 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Në ditën e parë të vizitës, Kryeministri Berisha do të pritet nga Kryeministri Orban, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, i pasuar nga takimi zyrtar midis dy delegacioneve, në fund të të cilit dy kryeministrat do të dalin në një konferencë për shtyp, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Republikës së Hungarisë Pal Schmitt, Kryetarin e Parlamentit zotin Laszlo Kover, si dhe ministrin e Jashtëm Janosh Martonyi. Një drekë për nder të Kryeministrit Berisha do të shtrojë edhe kryetari i Bashkisë së Budapestit, Istvan Tarlosh.