E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, gati shkrirja e 1200 qendrave të votimit

Komisioni për Reformën Zgjedhore

Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sanino, të martën në Tiranë për reformën zgjedhore.

PD-PS, pro eliminimit të qendrave me 200 zgjedhës.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dakord për eliminimin e 1200 qendrave të votimit me më pak se 200 zgjedhës. Këto qendra shtrihen në zona malore dhe kodrinore dhe në disa raste funksionojnë qendra votimi me 20-30 zgjedhës. Të dyja palët u kanë kërkuar deputetëve të grupeve parlamentare të shohin mundësinë e grupimit të këtyre qendrave të votimit me qendra të tjera, duke bërë më të lehtë menaxhimin dhe kontrollin e tyre. Një veprim i tillë duket se bëhet edhe në funksion të propozimit të opozitës për identifikim elektronik të zgjedhësve përmes gjurmës së gishtit. Një grupim i qendrave të votimit pranë fshatrave më të mëdha apo dhe komunave do ta bënte më praktik dhe më të lehtë përdorimin e mjeteve teknologjike në procesin e votimit. Zvogëlimi i qendrave të votimit sjell avantazhe, por edhe disavantazhe, të cilat duhet të konsiderohen për një vendim final. Pasja e sa më pak qendrave të votimit sjell monitorim më të mirë të tyre, mbulim me teknologji dhe kosto më të ulët për komisionerë e vëzhgues. Të vetmen anë negative që ka, është  distanca dhe mundësia që një pjesë e zgjedhësve të mund të mos votojë. Kjo e fundit mund të zbutet me mobilizim për transport të votuesve nga ana e partive politike, thuhet në një dokument konfidencial, shpërndarë deputetëve të PS dhe PD nga Komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Zgjedhore. Janë 4883 qendra votimi në të gjithë vendin, numri i votuesve të të cilave varion nga 20 deri në 2635 zgjedhës në bashkinë e Vlorës, numër që bie ndesh dhe me Kodin Zgjedhor, i cili lejon ngritjen e një qendre votimi deri në 1000 zgjedhës.
Partnerët
Reforma zgjedhore po ndiqet me shumë vëmendje dhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht përfaqësuesit e BE-së, të cilët dolën garant dhe në arritjen e marrëveshjes PD-PS për reformat dhe ligjet me 3/5-at. Ditën e martë, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino, do të jetë në Tiranë, ku do të zhvillojë një takim me anëtarët e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, pas shtyrjes së afatit të tij për dy muaj të tjerë. Vizita e fundit në Tiranë e Saninos ishte në 7 shkurt të këtij viti, ku ai dha një dritë shprese për çështjet e integrimit, duke lënë të hapur vjeshtën si afatin e fundit për këtë vit për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkaq, përfaqësues të OSBE/ODIHR-it po ndjekin hap pas hapi të gjithë ecurinë e punës së këtij Komisioni, i cili ka bërë pak përparime ballafaquar me tematikën dhe afatet kohore të tij.

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Të diskutuara

. Financimi i partive

. Dorëheqja e zyrtarëve të lartë para kandidimit të tyre si deputetë

. Përdorimi i mjeteve dhe burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore

. Penalizimi i komisionerëve për shkeljet dhe parregullsitë gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave

. Plotësimi i listave me aq kandidatë sa është dhe numri i deputetëve që dalin në atë zonë elektorale, qark

. Respektimi i kuotës së përfaqësimit të grave, në çdo tre kandidatë, një të jetë femër

. Shkrirja e numrit të qendrave të votimit, që kanë më pak se 200 zgjedhës

Të pritshme

. Lista e zgjedhësve, ku opozita të ketë akses të plotë në monitorimin e saj

. Përmirësimi i procedurave të votimit, përmes identifikimit të zgjedhësve nga gjurma e gishtit

. Numërimi elektronik i votave

. Përmirësimi i administratës zgjedhore

Tryeza e ODIHR
Më 26-27 mars, përfaqësues të ODIHR-it do të zhvillojnë një konferencë shkencore lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Dy do të jenë temat e kësaj konference, futja e teknologjive të reja në procesin e votimit dhe numërimit të votave, dhe administrimi i zgjedhjeve, roli dhe funksioni që duhet të kryejë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet zonale.

Eugen Volfarth
Prezenca e OSBE-së në Tiranë kërkoi pak ditë më parë nga klasa politike rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shndërrimin e tij në një institucion teknik, larg influencave politike. Me përvojën e zgjedhjeve të kaluara dhe zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, del si detyrë përmirësimi i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që KQZ-ja të jetë në një pozicion më të mirë teknik për tu shërbyer qytetarëve, ku përfshihen sigurisht edhe partitë politike. Kjo duhet të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi, besimin se votat e tyre janë të rëndësishme dhe se ato numërohen siç duhet për një rezultat të besueshëm, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato vendore, u shpreh kreu i OSBE-së në Tiranë.

Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësim për ritmet me të cilat po ecën reforma zgjedhore, duke pranuar se puna për të nuk po reflekton seriozitetin e duhur. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, propozoi reduktimin e zonave zgjedhore, nga 12 në 6. Ka shumë komente dhe madje po bëhet një diskutim i gjerë në lidhje me sistemin zgjedhor. Natyrisht që në kushtet kur është më e vështirë të preket Kushtetuta, mendojmë dhe propozojmë që mund të preket ose mund të ndërhyhet në ndarjen e zonave zgjedhore. Zgjidhja më e mirë e mundshme për të evituar diskriminimin apo pabarazinë e votës, mund të ishte një ndarje me një numër më të kufizuar rajonesh zgjedhore. Ndoshta numri 6 do të ishte zgjidhja më e pranueshme, theksoi Rama.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›