E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative,ligji pritet të shqyrtohet sot në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e dytë për këtë sesion parlamentar ndërkohë që sot pritet që të shqyrtohet edhe ligji i shumëpërfolur për Gjykatën Administrative.
Kryeparlamentarja Topalli, deklaroi dje se në konferencën e kryetarëve është miratuar me konsensus edhe kalendari tre javor i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra, kërkojnë edhe votën e opozitës.
“Mes këtyre ligjeve është edhe ligji për Gjykatat Administrative por ka edhe shumë kode të tjera të cilat kërkojnë votën e të gjithë grupeve parlamentare, të të gjithë forcave politike, siç keni qenë dëshmitarë, ky kalendar është votuar me unanimitet, është kaluar në seancën plenare pa asnjë kundërshti dhe unë shpresoj se të gjitha forcat politike, të gjitha grupet parlamentare do të jenë luajal në qëndrimet e tyre” ka theksuar dje kryeparlamentarja Topalli në një konferencë të përbashkët me deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kiesevetter.
Ndërkohë kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje se opozita do të angazhohet për reformat por nuk do të japë asnjë votë dhe karton jeshil për ligjet me 3/5 sa për ti hedhur hi syve Brukselit.
Sipas Ramës, grupi parlamentar do të dorëzojë gjatë kësaj jave në Kuvend draftin e ndryshimeve që sipas tij do të kthejë jetën normale parlamentare mes palëve.
Ai theksoi se këto ndryshime nuk kanë lidhje thjesht e vetëm me rregulloren e Kuvendit, por me domosdoshmërinë për një reformë institucionale të procedurës së punës në këtë institucion.
Ndërkohë në seancën e sotme plenare do të shqyrtohen edhe disa projektligje të tjera si ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”,
si dhe një interpelancë me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila është kërkuar nga një grup deputetësh.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›