E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Adnan Kosova, dëshmitar për mashtrimin 150 mijë euro



E akuzuar për mashtrimin e familjarëve të dy të dënuarve, Emiljano Shullazi e Ergys Ferhati, duke iu marrë 150 mijë euro në këmbim të lirisë, e pandehura Albana Lazaj ka akuzuar dje drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, se e ka kërcënuar. Ndërkohë, gjatë deklarimeve të saj para gjykatës, ajo kërkoi thirrjen si dëshmitar të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnand Kosova, dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, Arben Frashëri dhe Ibrahim Hoxha, si dhe të drejtuesit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, për të dhënë deklarime në gjykatë. Sipas saj, Tonin Vocaj e ka kërcënuar direkt që të mos përmendte emrin e prokurorit Adnand Kosova, duke i sugjeruar të përmendte vetëm emrin e kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Deklarimi i saj para togave të zeza, të drejtuara nga Bujar Krasniqi, ka vijuar më tej, duke shtuar se ishte marrë në pyetje për 16 orë rresht në polici. Më tej, Lazaj ka deklaruar se “Tonin Vocaj ka lidhje të ngushta me Adnand Kosovën, për këtë kërkoj, që ai të vijë dhe të ballafaqohet me mua në gjykatë”. Ndërkohë që ka qenë ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, që e ka denoncuar në polici të akuzuarën për mashtrim, duke thirrur uniformat blu për t’i vënë prangat në zyrë. Lidhur me këtë fakt, sipas të pandehurës, Kosova ishte personi që e kishte denoncuar, ndërsa dy oficerët e Policisë Gjyqësore kishin qenë prezent gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kërkesa

Përballë pretendimeve të ngritura nga ana e kësaj të pandehure, prokurori i çështjes, Gentian Osmani, i ka kërkuar gjykatës që të shënonte çdo gjë në procesverbal. Sipas akuzës, e pandehura duhet akuzuar sërish për veprën penale të “mashtrimit”. Prokurori ka shpjeguar se të gjitha veprimet nuk janë kryer as nga oficerët, e as nga drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Vocaj. Gjatë shpjegimeve të tij para gjykatës, prokurori Osmani theksoi se që në fillim të hetimeve janë marrë oficerë të Seksionit Kundër Krimit Ekonomik, në prani të një zëvendësprokurori të Prokurorisë së Tiranës, i cili ka qenë i gatshëm ditën e ngjarjes. “Adnand Kosova nuk duhet thirrur për të dhënë shpjegime para gjykatës, pasi është vërtetuar që paratë janë marrë nga ana e të pandehurës, ndërsa Kosova dhe Sandër Simoni kanë qenë kallëzuesit në ngarkim të së pandehurës. Kërkoj që të mos pranohet kërkesa e të pandehurës”, - deklaroi përfaqësuesi i akuzës. Por, gjatë konsultimit mes tyre, togat e zeza vendosën dje që të thërrasin për të dhënë shpjegime ish-drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnand Kosova, ndërsa për shtetasit Vocaj, Hoxha dhe Frashëri gjykata do të vendosë më pas nëse do t’i thërrasë për të dhënë deklarime apo jo. Albana Lazaj është vënë në pranga më 17 tetor të vitit të kaluar, pas një kallëzimi të depozituar në Prokurorinë e Tiranës nga ana e ish-kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe ish-kreut të Gjykatës për Krime të Rënda. 34-vjeçarja akuzohet nga prokuroria për veprën penale të “mashtrimit” dhe “shpifjes”. Nga hetimet ka rezultuar se e pandehura përmes mashtrimit ka marrë shumën prej 150 mijë euro nga Agim Bonaca dhe Ferit Ferhati, duke u premtuar se do iu lironte nga burgu të afërmit e tyre, Emiljano Shullazin dhe Ervin Ferhatin. Sipas saj, kishte lidhje fisnore me këta persona dhe do bënte të mundur lirimin e tyre.

Deklarimi

Flutura rastësisht, Emiljano përgatiti takimin

E pandehura Albana Lazaj kundërshtoi dje para trupit gjykues deklarimet e dhëna nga e dashura e Emiljano Shullazit, Flutura Tarolli, gjatë hetimeve paraprake. Sipas të pandehurës Lazaj, gjatë tre procesverbaleve dëshmitarja ka dhënë deklarime kontradiktore me njëra-tjetrën. “Flutura ka qenë rastësisht, takimin e ka organizuar vetë Emiljano. Ai nuk ka pasur besim në asnjë e aq më tepër te Flutura. Lekët janë marrë dhe kjo gjë nuk është mohuar, por Flutura nuk ka qenë prezente në dhënien e lekëve”, - ka deklaruar dje e pandehura. Ajo ka kundërshtuar para gjykatës edhe njohjen e saj me të. Ndërsa, në fund e pandehura ka sqaruar se nuk e ka përmendur emrin e Sandër Simonit, por vetëm të Adnand Kosovën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›