Vrau bashkëshortin, 6 vjet burg për Vitore Suçin
E akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj vetëm tri javë pas martese, prokuroria u kërkoi dje togave të zeza dënimin vetëm me 6 vjet burg për 28-vjeçaren Vitore Suçi. Pasi ka parashtruar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, prokurori i kërkoi gjykatës që gjatë shpalljes së vendimit të kishte parasysh rrethana lehtësuese për të pandehurën, e cila e ka vrarë bashkëshortin në kushtet e tronditjes së rëndë dhe vetëmbrojtjes. Sipas akuzës, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, gruaja ishte detyruar ta qëllonte me thikë të shoqin, Marash Doda, në kushtet e tronditjes së rëndë dhe të vetëmbrojtjes, nisur nga veprimet e dhunshme të kryera herë pas here ndaj të pandehurës dhe familjarëve të saj. Duke bërë një përmbledhje të ngjarjes së 28 gushtit të një viti më parë, prokurori Ervin Karanxha i pohoi trupës gjykuese se viktima njihej për veprimet e tij të dhunshme, e madje, ai ishte ndarë nga gruaja e parë pikërisht për këtë shkak. Ndërkohë që, e motra e Vitores Suçit kishte denoncuar në polici, pasi 40-vjeçari e kishte sulmuar edhe atë me sëpatë dhe e kishte keqtrajtuar. Për këto arsye, prokurori kërkoi 6 vjet heqje lirie, por që gjykata të aplikojë gjatë dhënies së vendimit edhe një të tretën e uljes së dënimit, pasi ky gjyq u zhvillua me procedim të shkurtuar. E pandehura e ka pritur e qetë pretencën, ndërkohë që në sallën e gjyqit ka pasur vetëm një nga familjarët e saj, babanë, një prej dëshmitarëve okularë të asaj dite dhe i dhunuar edhe vetë nga dhëndri, tashmë i vdekur.
Pendesa pas ngjarjes
Pas kryerjes së krimit, Vitore Suçi ka shprehur pendesë, por ka shpjeguar se në asnjë moment nuk ka dashur të qëllojë kundrejt të shoqit. Viktima ka qëlluar prindërit e saj, të dy të moshuar, duke e detyruar të pandehurën të qëllojë ndaj të shoqit me një biçak që ndodhej në banesën ku jetonte. Ngjarja për të cilën akuzohet e pandehura ka ndodhur më 28 gusht të vitit të kaluar. Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçarja kishte vetëm 3 javë që ishte martuar me viktimën Marash Doda, 40 vjeç. Ditën e ngjarjes, Suçi kishte vendosur që të ikte nga shtëpia. Ajo kishte vendosur të kthehej sërish tek prindërit e saj në Paskuqan dhe donte të ndahej nga 40-vjeçari Marash Doda. Por, ky i fundit nuk e ka pranuar këtë gjë. Në këto kushte, 28-vjeçarja ka thirrur prindërit e saj që të shkonin në shtëpinë e tyre tek Bregu i Lumit dhe ta merrnin. Kur ata kanë shkuar atje, rreth orës 14:00 të asaj dite, është rindezur edhe një herë konflikti mes Marashit dhe Vitores. Në një moment, gruaja ka tentuar që të ikë, por kur 40- vjeçari e ka ndaluar, ajo ka marrë një biçak dhe ka qëlluar në zemër bashkëshortin e saj.