Protesta e invalidëve, nisin negociatat
Greva e urisë e invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë ka bërë që të nisin negociatat mes ekzekutivit dhe shoqatës së tyre. Dje, një grup pune me në krye drejtorin e përgjithshëm të Politikave të ministrisë, z. Gjergji Leka, është takuar me invalidët dhe ka marrë kërkesat e tyre të detajuara. Burime nga shoqata bëjnë të ditur se drejtori i ministrisë u premtoi se do të përpiqeshin të plotësonin sa më shumë prej kërkesave të tyre, për aq sa lejon buxheti.
Negociatat
“Ne do të shohim të gjitha mundësitë për të plotësuar këto kërkesa, brenda asaj çfarë është normale dhe brenda kapacitetit të buxhetit”, – mësohet të ketë deklaruar drejtori. Ndërkohë, burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se kanë nisur bisedime për rritjen e përfitimeve të invalidëve nëse kjo nuk do të ketë kosto të lartë për buxhetin. Burimet pranë MF-së lënë të kuptohet se sot, që është mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, nuk do të ishte e habitshme të shihnim një ndryshim në përfitimet e invalidëve.
Sakaq, në Ministrinë e Punës është ngritur një grup i posaçëm pune, që po merret me këtë çështje. Në drejtimin e grupit është vendosur vetë ministri i Punës, z. Anastas Duro, dhe po shihen të gjitha mundësitë për përmirësimin e kushteve ku jetojnë invalidët. Në të njëjtën kohë, po shihet edhe mundësia e kalimit të paketës higjenike dhe karburantit, në formë subvencionimi dhe jo me para në dorë.
Kërkesat
Kërkesat e invalidëve janë të qarta dhe për plotësimin e tyre ata kanë zhvilluar një seri protestash kryesisht përpara Kryeministrisë. Paraplegjikët dhe tetraplegjikët kërkojnë rritjen ekonomike të tri shërbimeve që përfitojnë. Pikësëpari, ata kanë kërkuar rritjen e paketës higjenike, që shërben për pastrimin e paraplegjikëve që janë të pavetëdijshëm në kryerjen e nevojave personale. Aktualisht, ky shërbim është 12 mijë lekë të reja, por e pamjaftueshme për koston e plotë të paketës. Në këtë mënyrë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët kërkojnë më se dyfishimin e shërbimit duke e çuar në 30 mijë lekë të reja.
Kërkesa e dytë ka të bëjë me transportin e tyre. Duke qenë se ata nuk janë të aftë për punë si të gjithë personat e tjerë, qeveria kishte përcaktuar një sasi tollonash karburanti që shërbente për mjetet e tyre. Por, përpara pak kohësh ky shërbim u hoq, duke detyruar invalidët të dalin në protesta. Ata kërkojnë dhënien e 80 litrave karburant në muaj, në mënyrë që të mos ndihen të diskriminuar në këtë aspekt të jetës.
Shoqëruesit
Kërkesa e tretë ka të bëjë me shoqëruesit e invalidëve. Sipas ligjit shqiptar, shoqëruesit njihen dhe paguhen me të njëjtën shumë sa pagesa e invaliditetit, që është rreth 8 mijë lekë të reja në muaj për person. Shoqata e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve kërkon që pagesa për personat që u shërbejnë të njësohet me pagën minimale, duke qenë se ata që shërbejnë janë në gjendje pune, porse nuk mund të punojnë për shkak të shërbimit që u kryejnë personave në nevojë. Në këtë mënyrë, shoqata ka kërkuar edhe pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, si të ishin të punësuar prej tij.