Vendimi ;Vrau të fejuarën, 16 vjet burg për Dan Hutrën
Gjykata e Tiranës shpalli dje fajtor dhe dënoi përfundimisht me 16 vjet burg të pandehurin Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e të fejuarës së tij. Për këtë të pandehur, një seancë më parë, prokurori i çështjes kërkoi dënimin me 25 vjet heqje lirie, ndërsa dje gjykata e dënoi atë me 24 vjet burg. Por, për shkak të gjykimit të Hutrës në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Hutra përfiton uljen e 1/3 së dënimit, duke i ngelur vetëm 16 vite burg për të vuajtur. I pandehuri Hutra akuzohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim” të bashkëshortes së tij, Dafina Havalja. Vrasja ka ndodhur pasditen e datës 15 dhjetor të vitit 2007, në një banesë me qira te vendi i quajtur "Fusha e Aviacionit", në rrugën "Stavri Themeli", në Tiranë. Sipas akuzës, kjo vrasje ka ardhur pas disa zënkave mes tyre për arsye xhelozie, ku i sapoardhur nga emigrimi, i pandehuri Hutra dyshonte se bashkëshortja Dafina Havalja e tradhtonte, duke arritur kulmin pas tetë muajsh martese, ku Hutra merr thikën dhe e qëllon disa herë në zemër, goditje këto që i sollën vdekjen vajzës 22-vjeçare nga Klosi i Dibrës. Sipas akuzës, për tetë muaj martesa mes tyre ka qenë me debate e tension për shkaqe xhelozie, por mëngjesin e 15 dhjetorit 2007 ka arritur kulmin, kur Hutra e ka qëlluar bashkëshorten dhe është larguar nga shtëpia. Ky largim ka bërë që vajza të telefonojë në shtëpi, për t'iu kërkuar prindërve që të shkonin ta merrnin se nuk donte të jetonte më. Pasdite, Hutra kthehet në shtëpi dhe sapo merr vesh telefonatën e bërë nga bashkëshortja dhe kërkesën e kësaj të fundit për ndarje, merr thikën dhe e qëllon në zemër duke e lënë të vdekur. Pas krimit, Hutra mbledh rrobat e tij dhe largohet nga banesa, ku lajmëron familjen e vajzës që të shkojë të marrë trupin e vajzës së vdekur dhe i fshihet policisë. Pas tri dite arratisjeje, Hutra arrestohet në afërsi të Kukësit, brenda autobusëve të linjës Tiranë-Kosovë. Në përfundim të arsyetimit të vendimit, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi që ky i pandehur të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në vend, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që paraqet.