Gjykata: Adnan Kosova do të thirret si dëshmitar
Tiranë - Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e të akuzuarës për mashtrime në shuma të mëdha, Albana Laze, që ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, të dëshmojë në gjykatë. Sipas saj, Kosova duhet të dëshmojë kundrejt pretendimeve të saj se për premtimin e saj për të liruar Emiljano Shullazin nga burgu kanë dijeni funksionarë të Prokurorisë. Ndërkohë, gjykata nuk u shpreh me një vendim të prerë lidhur me kërkesën tjetër të Lazes, që në proces të dëshmonin dhe dy funksionarë të tjerë të lartë, Tonin Vocaj dhe Arben Frashëri, duke vendosur që të dëgjojë dëshminë e tyre menjëherë pas asaj të Adnan Kosovës. Albana Laze, e akuzuar për mashtrime në shuma të mëdha, pretendon se në rastet e premtimeve për lirimin e të burgosurve nga burgu kishte garancinë e prokurorëve, duke përdorur në këtë rast emrin e Adnan Kosovës, ish-drejtues i Krimeve të Rënda dhe prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Laze pretendon se dëshmia e tyre e shpëton atë nga akuza. Sipas prokurorisë, e akuzuara mashtronte prej kohësh të dënuarit në këmbim të lirisë duke përvetësuar shuma të konsiderueshme të hollash. Rasti më flagrant ishte ai kur Laze u mori dy të dënuarve rreth 150 mijë euro, Emiljano Shullazit dhe Ergys Ferhatit, duke u premtuar lirinë.
4 Mars 2009