E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e 9 janarit, policia nis rishqyrtimin e provave

Prej tri ditësh, policia po bën rivlerësimin e dosjes së bujshme.

Habjon Hasani

Tiranë - Policia e Shtetit ka nisur rivlerësimin e provave dhe fakteve që lidhen me tragjedinë e 9 janarit. Lajmin e bëjnë të ditur burime tepër konfidenciale nga ky institucion, ndërsa prej dy vitesh policia e shtetit ka nisur rihetimin e shumë krimeve të pazbardhura gjer në fund. Duket se kësaj here policia ka marrë shkas nga familjarët e personave të zhdukur në tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004 të cilët kanë nisur pak ditë më parë në Shkodër një grevë urie pasi ata kërkojnë gjetjen e trupave të fëmijëve të tyre të zhdukur. Protesta e familjarëve nisi sërish pasi ata thonë se kanë siguruar një deklaratë të ish-shefit të krimeve të asaj kohe në Vlorë, Sokol Bizhga, ku thuhet se në datën 10 janar, një ditë pas tragjedisë, janë gjetur trupat e pajetë të atyre që sot cilësohen si të zhdukur. Ka qenë pikërisht ky pretendim i familjarëve që nxiti dhe Policinë e Shtetit të rivlerësonte mundësinë e hapjes së kësaj dosjeje. Familjarët e viktimave thonë se greva e tyre do të arrijë deri në vetëflijim. Më 9 janar të vitit 2004, në ujërat e Detit Jon humbën jetën 28 të rinj, kryesisht nga zona e Shkodrës, të cilët u nisën me një gomone nga vendi i quajtur Dhrale në Plazhin e Palasës.
Tragjedia
Ngjarja e 9 janarit 2004 ndezi një revoltë të ashpër popullore pasi qeveria nguroi dhe injoroi denoncimet mbi mbytjen e gomones. Më tej u zbulua se jo vetëm informacioni i dhënë nga media ishte i vërtetë, por pas tri ditësh u mor vesh dhe rezultati tragjik, me një numër viktimash edhe më të madh se në rastin e tragjedisë së Gërdecit. Vetëm pak muaj më parë u arrestua në Itali Nazmi Hyka, i cili konsiderohej si organizatori i këtij trafiku, megjithëse në kohën e ngjarjes mediat raportuan se strukturat shtetërore të kohës mbështetën organizimin e trafikut, madje edhe fshehjen e tragjedisë. Nazmi Hyka figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pasi Gjykata e Vlorës, më datën 24 janar të vitit 2005, e ka dënuar atë me 25 vjet burg për veprën penale “trafikim i qenieve njerëzore”. Hyka, në bashkëpunim me Cukal Delinë, Zef Markun, si dhe me persona të tjerë, mendohet se kanë organizuar trafikun ilegal të qenieve njerëzore, duke u premtuar mbërritjen në Itali kundrejt pagesës prej 1500 eurosh për person.

Arrestimet

Pas një vit hetimi, policia mundi të zbulonte emrat e 12 personave, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nisën me skaf drejt Italisë 36 persona. Policia arrestoi 5 prej të akuzuarve, ndërsa shtatë të tjerët u shpallën në kërkim. Njëri prej tyre ishte dhe Nazmi Hyka. Ky i fundit prej disa kohësh strehohej në Itali për t'u shpëtuar prangave të policisë. Në bazë të informacioneve që ka shkëmbyer Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës me autoritetet policore italiane është bërë i mundur zbulimi i vendndodhjes së 45-vjeçarit. Megjithëse i kërkuari u prezantua me gjeneralitete false si Adem Çelaj, 51 vjeç, nuk i shpëtoi verifikimeve të hollësishme të policisë italiane. Hyka është cilësuar si organizatori kryesor i këtij trafiku, megjithatë policia shqiptare së fundi ka rinisur vlerësimin e provave për të zbuluar nëse në “valle” mund të ketë pasur dhe ndonjë ish-funksionar shtetëror.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›