E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis vaksinimi për fëmijët me vaksinën pentavalente



Të gjitha foshnjat deri në 6 muajsh do të kryejnë vaksinën pentavalentete, e cila i mbron nga 5 sëmundje. Kjo vaksinë po kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe tashmë i është shtuar programit të vaksinimit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka qenë e pranishme në vaksinimin e foshnjave me vaksinën pentavalente. Ministrja e Shëndetësisë ishte e pranishme në Poliklinikën Nr. 2 në kryeqytet, ku filloi për herë të parë vaksinimi i foshnjave me vaksinën pentavalente. Vaksina pentavalente, “5 në 1”, parandalon 5 sëmundje: difterinë, tetanozin, kollën e mirë (pertusin), hepatitin B (verdhëzën) dhe infeksionet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Pra, të gjithë fëmijëve që kanë lindur më 1 janar 2009 do t’u ofrohet vaksinimi me vaksinën e kombinuar “5 në 1” (DTP-HepB-Hib). Kjo vaksinë futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat) që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria shqiptare paguan vetëm për komponentin e hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›