Meta: “Të zbardhet tragjedia e 9 janarit 2004”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, solidarizohet me grevistët, familjarë të viktimave të tragjedisë së 9 janarit dhe kërkon nga institucionet e drejtësisë që të zbardhin këtë tragjedi dhe të çojnë para bankës së drejtësisë të gjithë shkaktarët dhe përgjegjësit e saj. Meta ka qenë dje në Shkodër, ku ka vizituar familjarët e personave të zhdukur në tragjedinë e 9 janarit 2004, të cilët janë futur në grevë urie dhe kërkojnë zbardhjen e kësaj tragjedie dhe gjetjen e trupave të fëmijëve të tyre të zhdukur. Meta u shprehu solidaritet të plotë familjarëve të ngujuar, duke thënë: “Këta njerëz nuk duhet të vdesin, por ata kërkojnë drejtësi për zbardhjen e kësaj tragjedie. Kjo është një grevë unikale në botë që tre grevistë bëjnë grevë urie me tre arkivole ngjitur. Pasi kanë 5 vjet që u kërkojnë presidentëve të Republikës, që u kërkojnë Prokurorëve të Republikës, që u kërkojnë ministrave të Drejtësisë, kryetarëve të Parlamentit, që të hetohet çështja dhe të nxirret përgjegjësia që ata banditë në pushtet, që i lanë me ndërgjegje për orë të tëra ata shqiptarë që të vdesin nga të ftohtit në Karaburun, të shkojnë para Drejtësisë dhe para gjyqit”, - tha kreu i LSI-së. Ai kërkoi nga shteti shqiptar që të marrë parasysh kërkesat e grevistëve.
4 Mars 2009