E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet suvaja në Spitalin Infektiv, dy gra të plagosura

Gratë mjekohen në Spitalin Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Drejtoresha Kuli fajëson firmën kontraktuese për mungesën e sigurisë

Emanuela Sako

Në Spitalin Infektiv në QSUT, dje, për shkak të punimeve në çati, ka rënë suvaja në dhomën e EKO-ve, duke u shkaktuar plagë në trup dy grave që ndodheshin në katin e tretë. Mësohet se gratë janë jashtë rrezikut për jetën, pasi menjëherë pas ngjarjes ato u transportuan në Spitalin Ushtarak. Burime nga Qendra Spitalore treguan se një nga të dëmtuarat, Nafije Kryemadhi, ka pësuar goditje të lehtë në kokë dhe ndodhet ende në kujdesin e mjekëve. Ndërsa e dëmtuara tjetër, Xhevrie Xhafa, është larguar për në shtëpi, pasi ka rezultuar në gjendje të mirë shëndetësore. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, sqaroi pak çaste pas ngjarjes se një firmë ndërtimi ka nisur punimet në një kat më lartë pa njoftuar më parë drejtuesit e QSUT-së. Vetëm një ditë më parë pas ngjarjes firmës i është dërguar një shkresë që të marrë miratimin edhe nga Drejtoria e QSUT-së. Por firma ka nisur të kryejë punimet pa leje dhe gjatë kryerjes së punimeve ka rënë tavani i dhomës së EKO-ve në Spitalin Infektiv.
Pacientet
Pacientet e lënduara janë Nafije Kryemadhi, e cila ndodhej e shtruar në Spitalin Infektiv dhe pas aksidentit, përveç mjekimit në QSUT, u dërgua edhe në Spitalin Ushtarak, në Repartin e Traumatologjisë. Mjekët kanë bërë mjekimin e nevojshëm dhe kanë bërë ekzaminimet nëse kishte fraktura të rënda në kokë. Pas ekzaminimeve pacientja u kthye sërish në QSUT. Po kështu, së bashku me të në momentin e aksidentit ndodhej edhe Xhevrie Xhafa, e afërme e saj, por nuk pati asnjë pasojë apo lëndim. Ndërkohë që ngjarjes fatale i ka shpëtuar mjeku që po kryente ekzaminimin e EKO-s për pacientët.

Ngjarja

Dje paradite, rreth orës 12 është rrëzuar një pjesë e tavanit në dhomën e Ekografisë në Spitalin Infektiv në QSUT. rrëzimi i suvasë ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryheshin një kat më lart, në kuadër të rregullimit të ambienteve të Reanimacionit të Infektivit, në sajë të një projekti të Bankës Botërore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë për parandalimin e influencës (gripit të shpendëve). Drejtoria e QSUT-së, e cila është vetëm përfituese nga ky projekt, pasi ambientet e rikonstruktuara do të përdoren për të gjithë të sëmurët që kurohen aty, i kishte kërkuar firmës që po kryente rikonstruksionin të mos fillonte punën, pa rregulluar ambientet në katet e mëposhtme të godinës, pasi ishte liruar vetëm kati ku po punohej.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›