E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët me origjinë rome padisin në Strasburg shtetin grek



Tiranë - Komiteti Shqiptar i Helsinkit është vënë në dijeni nga Monitoruesi Grek i Helsinkit (MGH) se 16 shtetas shqiptarë me origjinë rome dhe me vendbanim në Greqi kanë paraqitur një ankesë para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër shtetit grek. Ankuesit pretendojnë se shteti grek ka shkelur Nenin 3 (ndalimi i torturës) dhe Nenin 8 (e drejta e respektimit të jetës familjare dhe private), Nenin 13 (e drejta për ankimim efektiv) dhe Nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së (aplikimi Nr. 47236/07, Ibishi dhe të tjerë kundër Greqisë). Në ankesën e paraqitur parashtrohen fakte se aplikuesit kanë jetuar së bashku me disa familje rome për më shumë se 10 vjet, deri në qershor të vitit 2007, në një sipërfaqe toke në lagjen Aghiour Polykarpou në zonën e Votanikos, afër qendrës së Athinës. Toka i përkiste Bashkisë së Athinës dhe vendbanimi ndodhej afër një përroi shumë të ndotur, në një zonë industriale. Prej vitit 2005, në median greke u publikuan disa artikuj lidhur me rehabilitimin e zonës dhe nevojën për të dëbuar familjet rome. Gjatë muajve të parë të vitit 2007, prefekti i Athinës dhe Ministria e Brendshme kishin ndërmarrë veprime për pastrimin gjithëpërfshirës të zonës dhe kishin ngritur një komitet administrativ për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme për çështjen e strehimit të romëve të vendosur në zonën e Votanikos. Në qershor 2007, një kompani private ndërtimi që i përkiste B.V., së cilës i ishte dhënë e drejta për të zbatuar një projekt tregtar ndërtimi në sipërfaqen e tokës në Aghiou Polykarpou, u shfaq në zonën ku jetonin aplikuesit dhe u bëri thirrje atyre të largoheshin. Drejtuesi i kompanisë së ndërtimit u ofroi familjeve rome 1000 euro si kompensim për largimin e tyre. Disa romë kishin refuzuar të largoheshin mirëpo buldozerat i kishin prishur strehëzat e tyre. Pikërisht kjo histori tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Strasburgut dhe pritet që të jepet vendimi për të brenda këtij viti.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›