Gjykata: Arrest me burg për serial-killerin Viktor Gushi

UPDATE- “Arrest me burg” ishte vendimi i Gjykatës së Tiranës për “serial killerin”, Viktor Gushi. E mbledhur sot kjo gjykatë shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi “arrest me burg” për
grabitësin e “NBG” Bank dhe vrasësit të arkëtares Leonora Kaloçit. Me Lindita Ziguri, prokurore e çështjes ndaj Gushit, dhe avokate Vjollca Pustina seanca gjyqësore nisi me një fjalë pendese të autorit të 16 grabitjeve, 2 vrasjeve dhe 2 plagosjeve. “Jam i penduar, nuk e mendoja se do vija deri këtu”, ishin fjalët e Gushit. Tashmë Viktor Gushi mbetet në qeli, ku pritet t’i drejtohet burgu 313 deri në momentin e dhënies së vendimit final nga Gjykata. Përgjatë ditës së djeshme, autorit të vrasjes së arkëtares Leonora Kaloci dhe argjendarit Rrapo Sinanaj i janë marë kampione gjaku dhe urine, për t’i bërë analizat nga ku do të mësohet nëse ai është përdorues droge ose jo. Gjithashtu në kuadër të hetimeve intensive rreth kësaj çështje, prokuroria ka urdhëruar që grabitësi serial t’i nënshtrohet një ekspertize psikologjike, për të parë nëse ai vuan mënderisht dhe nëse është i ndërgjegjshëm për veprimet agresive që kryen.
Sipas hetimeve intensive të policisë rezulton se Gushi ka kryer 16 - ngjarje të rënda kriminale, të kryera në mënyrë sistematike, për periudhën 2008- 2012, ku mes tyre numërohen grabitjet e disa bankave.
Viktor Gushi akuzohet për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi te banka NBG si dhe nga ekzaminimet laboratorike ka rezultuar se me pistoletën e sekuestruar, Gushi ka kryer vrasjen e argjendarit Rrapo Sinani, vrasje të cilat i ka pranuar dhe rrëfyer qetësisht, shto këtu dhe dy plagosje.