Serbët hyjnë në territorin e Kosovës dhe arrestojnë dy oficerë policie. Reagon Prishtina: Beogradi provokoi një incident të rëndë, të lirohen policët

UPDATE- Ushtria serbe ka arrestuar sot në orën 10:30 të paradites, dy oficerë të Policisë së Kosovës, në Merdare. Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç tha se dy oficerët kishin dy automatikë, armë pistoletë dhe dylbi. “Emrat e të arrestuarve janë Shukre Binaku e Sami Beqiri”, tha Daçiç për gazetarët. Ministri serb tha se policët kosovarë kishin kaluar pikën e përcaktuar nga marrëveshja e Kumanovës në vitin 1999.
Ministria e Brendshme e Kosovës: Policët janë arrestuar në territorin kosovar
Ministria e Brendshme e Kosovës ka dënuar ashpër marrjen peng të dy zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ushtria serbe në kufirin mes dy vendeve. “Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në deklaratën që ka publikuar MPB, Kosovë. Në vijim, Ministria e Brendshme kujton se, “ky veprim tinëzar dhe i organizuar i policisë serbe dëshmon edhe një herë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës”. “Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës, përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Millosheviçit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani”, thuhet në deklaratë. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të Bashkimit Evropian të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Merdares të shtunën paradite.
DASH dënon arrestimin e oficerëve: Veprime të papajtueshme, provokojnë tensione
Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi ndaj arrestimeve të ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë të shtetasve të njeri-tjetrit. Departamenti shprehu shqetësimin lidhur me deklaratat e disa zyrtarëve, të cilët bënë tërthorazi kërcënime se arrestimet janë reciproke ose hakmarrëse. “Presim nga Serbia dhe Kosova të respektojnë shtetin ligjor dhe të mos bëjnë deklarata, apo të kryejnë veprime që shkaktojnë ngritjen e tensioneve”, deklaroi Departamenti i Shtetit.
...