E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëgjyqësia, padi kreut të komunës Bradashesh

 Fatos MahmutajPaditet në prokurori kryekomunari i Bradasheshit të Elbasanit, për shkatërrim prone dhe vjedhje. Padia në ngarkim të Sabri Sollakut është depozituar një javë më parë në Prokurorinë e Elbasanit nga drejtuesit e ish-Kombinatit Metalurgjik, sipas të cilëve Sollaku ka konsumuar veprën penale duke bërë vetëgjyqësi. Në kallëzimin penal që mban datën 11 dhjetor 2009, thuhet se sipas një procesverbali të mbajtur nga grupi i auditit të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, më datë 3 korrik 2006, është konstatuar se janë prerë 378 metër tubo të njërës prej Uzinave të ish-Kombinatit Metalurgjik. “Kështu kryetari i komunës Bradashesh, së bashku me policët e komunës dhe disa punonjës të saj, me sharra në duar kanë prerë 378 metër linear tubo me diametër 730 milimetër, peshë 55.083 kilogramë dhe me vlerë 824 mijë lekë të reja, duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik”, - thuhet në kallëzimin penal në ngarkim të kryekomunarit Sollaku, i cili e ka përligjur këtë veprim me faktin se uzina ku ai preu tubot, e cila është në likuidim nga METE, nuk i kishte paguar taksat lokale. Për këtë ai ka zgjedhur rrugën e vetëgjyqësisë, duke menduar të realizojë të ardhura nga shitja e tubave të prerë, për të kompensuar taksat lokale të papaguara nga uzina. Aktualisht ish-Kombinati Metalurgjik është nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Disa prej uzinave të tij, si Ferrokromi dhe çeliku janë dhënë me koncesion, ndërsa të tjerat janë në likuidim e sipër dhe procedura privatizimi nga ana e METE, pasi janë të falimentuara. Toka ku shtrihet Kombinati Metalurgjik pjesërisht ka pronarë të vjetër dhe pjesërisht është e lirë. Në asnjë rast nuk ka ndonjë sipërfaqe të tij, që të jetë regjistruar në ZRPP Elbasan në emër të komunës Bradashesh. Klasifikimi i këtij kombinati nuk është i njëjtë me atë të bizneseve lokale, që janë të regjistruara në këtë komunë si lokale, lavazho etj. Momentalisht janë disa projekte që e përfshijnë ish-Kombinatin Metalurgjik në zonën industriale të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që është duke u përgatitur edhe projekti i fizibilitetit të parkut industrialo-energjetik të Elbasanit, që synon ta kthejë këtë zonë në nyje të rëndësishme ekonomike. Gjithashtu ish Kombinati Metalurgjik bën pjesë në projektin “Shqipëria 1 euro” të qeverisë shqiptare. I kontaktuar nga “Panorama”, kryekomunari i Bradasheshit, Sabri Sollaku pranoi se kishte prerë tubat dhe i kishte shitur ato për skrap, në mënyrë që të zbuste sadopak borxhin që ish-Metalurgjiku i detyrohej komunës. Sipas tij, ky borxh arrin në rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe se skrapi i shitur kishte kushtuar 10 herë më pak. “Të hënën komuna jonë do kërkojë bllokimin e llogarive bankare të ish Metalurgjikut për të kompensuar borxhin. Nëse do të kishin mbetur atje tuba të tjerë, do i kisha prerë sërish”, përfundoi Sollaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›