E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktoraturat e Filologjikut, mosmiratimi i programeve, pengesë për nisjen e studimeve

Jonida Tashi

Mosmiratimi i programeve për studimet e Doktoraturës është bërë pengesë për fillimin e shkollës doktorale tek Filologjiku. Ndonëse që prej një viti programet e Doktoraturës së këtij Fakulteti janë dërguar në Agjencinë e Akreditimit, kjo e fundit ende nuk ka bërë miratimin e tyre, me përjashtim të doktoraturave “Doktoratë në Kërkime Gjuhësore” dhe “Doktoratë në Studime Letrare”. Lidhur me këtë situatë, dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, pohon se mosmiratimi i doktoraturave të Historisë dhe Filologjisë ka penguar zhvillimin e shkollës doktorale edhe në degë të tjera të Fakultetit. Rrokaj bën të ditur se ka gati një vit, që miratimi i tyre po stërzgjatet dhe kjo ka penguar zhvillimin e të gjitha doktoraturave në këtë fakultetet, një cikël studimesh shumë i kërkuar, kjo dhe nga aplikimet e shumta që janë paraqitur pranë sekretarive të fakultetit.
Deklarata
“Jemi në pritje të shkollës doktorale të Historisë dhe të Gjeografisë, të cilat duhet të miratohen sa më parë nga Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit, pastaj të kalojmë në Këshillin e Ministrave. Jemi shumë të vonuar, sepse ka kaluar mbi një vit dhe mosmiratimi i këtyre dy shkollave po pengon fillimin e gjithë shkollës doktorale në Fakultet”,- deklaron dekani i Filologjikut, Shezai Rrokaj. Ndërkohë, për herë të parë studentët e Fakultetit Histori- Filologji do të kenë shansin që për lëndë të veçanta të marrin mësim nga pedagogë të huaj, të njohur në universitetet europiane, të cilët do të jenë me kohë të plotë, ndryshe nga vitet e mëparshme. “Për herë të parë ne po parashikojmë nga fondet e të ardhurave të studentëve miratimin e rreth 20 profesorëve të huaj, që do të vijnë të mbajnë lëndë të plota në Fakultetin tonë”,- tha Rrokaj. Sipas tij, ardhja e këtyre pedagogëve të huaj do të ndikojë në standardet e mësimdhënies, ndërkohë ky bashkëpunim do të jetë njëkohësisht dhe një kualifikim për pedagogët shqiptarë.
Programet
Dy programet e Doktoraturës të miratuara pak ditë më parë edhe nga qeveria, për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, të Universitetit të Tiranës, janë Doktoratë në “Kërkime gjuhësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Kërkime Gjuhësore” dhe doktoratë në “Studime letrare’, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Studime Letrare”. Kuotat e pranimit në këto programe studimi, për vitin akademik 2009-2010, janë, si më poshtë vijon: “Doktoratë në Kërkime Gjuhësore”, 60 kuota; “Doktoratë në Studime Letrare”, 15 kuota. Ndërsa tarifa e shkollimit, për këto programe studimesh të doktoratës, është 200 mijë lekë dhe do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, i Universitetit të Tiranës. Sipas vendimit të qeverisë, këto programe studimi do e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009–2010. Kohëzgjatja e programeve të mësipërme të studimeve të Doktoratës është, të paktën, 3 vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.

Kuotat e pranimit për dy programet e miratuara
Doktoratë në Kërkime Gjuhësore 60 kuota
Doktoratë në Studime Letrare 15 kuota
Për studentët jashtë kufijve të Shqipërisë:
Doktoratë në Kërkime Gjuhësore 6 kuota
Doktoratë në Studime Letrare 2 kuota

Dokumentet e aplikimit për doktoraturat e Filologjikut

Procedurat e aplikimit për studimet e doktoraturës pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës janë hapur në fillim të kësaj jave. Për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve që duan të aplikojnë për këto studime, Universiteti i Tiranës publikon edhe dokumentet që duhet të përmbajë dosja e aplikimit. Ndërkaq, sipas afateve të vendosura, dosja e aplikimeve duhet të dorëzohet pranë departamenteve përkatëse nga data 18 deri në datën 30 janar 2010.
Dosja duhet të përmbajë:
Curriculum vitae
Kopje e noterizuar e Diplomës së Nivelit të Dytë (DND), ose të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente
Kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave
Certifikatë lindje me fotografi
Vërtetim i qendrës së banimit
Dy rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent)
Dëshmi dhe vërtetime provimesh pasuniversitare si gjuhë e huaj etj.
Deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin
Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të Doktoratës
Vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim
Platforma e disertacionit (punimit)
Plani i punës në vite

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›