Gjykata: Jo rivlerësim të masës së sigurisë për Ndrea Prendin

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për rivlerësimin e masës së sigurisë për tre të akuzuarit e ngjarjeve të 21 janarit, për ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume dhe inxhinierin e IT-së së kryeministrisë Armand Kasaj.
Prokuroria, kishte kërkuar nga Gjykata e Tiranës zëvendësimin e masave nga "arrest shtëpie" në atë të "arrestit në burg" për tre të akuzuarit e demonstratës së 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 persona.
Ndërkohë çështja për tre të akuzuarit e 21 janarit do të shqyrtohet në ditët në vijim në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku prokuroria pritet të kërkojë sërish për ta "arrest në burg" dhe jo "arrestit shtëpiak", siç kishte vendosur gjyqtari Shkëlqim Mustafa.
Prokuroria e akuzon ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi për "Vrasje në rrethana cilësuese" të shtetasit Faik Myrtaj nga Fieri, ndërkohë që për shoferin e tij Margarit Kume prokuroria ka ngritur akuzën e "Kryerjes së veprimeve që tentojnë fshehjen e të vërtetës".
Për sa i përket inxhinierit të IT-së së kryeministrisë Armand Kasaj dhe ndaj tij është ngritur akuza e "Kryerjes së veprimeve që tentojnë fshehjen e të vërtetës" pasi dyshohet se ai ka fshirë filmimet e kamerave të sigurisë së kryeministrisë .