Gjykata: Kreu i avokatëve të mbrojë Lulzim Berishën
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ia “beson” të pandehurin Lulzim Berisha kreut të Dhomës së Avokatisë Tiranë, avokatit Fatmir Braka. Të gjendur përballë shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancave gjyqësore për shkak të mungesave të avokatëve, togat e zeza të Krimeve të Rënda i kanë “trokitur në derë” kreut të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Që prej seancës së ardhshme të këtij procesi, i cilësuari si kreu i “bandës së Durrësit” do t’i sigurohet mbrojtja ligjore nga avokati Braka. Vendimi për zëvendësimin e avokatëve mbrojtës të Lulzim Berishës me kreun e Dhomës së Avokatisë së kryeqytetit është marrë dje nga kryesuesi i pesëshes gjykuese të këtij procesi, gjyqtari Gurali Brahimllari. “Duke pasur parasysh se ky proces është zvarritur në mënyrë të qëllimshme nga avokatët, gjykata vendosi zëvendësimin e tyre”, thuhet në vendimin e gjykatës. Seanca e djeshme në ngarkim të bandës ka dështuar si pasojë e mungesës së disa prej avokatëve që mbrojnë të pandehurit. Ndërsa nuk ishin të pranishëm në sallë asnjëri prej avokatëve mbrojtës të të pandehurit Lul Berisha, përkatësisht avokatët Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia. Gjykata vendosi t’i kërkojë Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë marrjen e masave kundrejt këtyre avokatëve. Gjithashtu ajo vendosi zëvendësimin e avokatëve të të pandehurit Berisha me avokatin Fatmir Braka. Në seancën e djeshme në kafazin e qelisë së sallës së gjykatës ndodhej vetëm i pandehuri Selman Heti, ndërsa të tjerët kishin zgjedhur të përfaqësoheshin nga përfaqësuesit e tyre ligjorë. Seanca e djeshme ishte e 61-ta në radhën e seancave të këtij procesi. Shqyrtimi i kësaj çështjeje ka filluar në 17 qershor të vitit 2007 dhe që atëherë nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore. Shkak për shtyrjet dhe zvarritjen e procesit është bërë mungesa e vazhdueshme e avokatëve mbrojtës, pa praninë e të cilëve ligji e ndalon zhvillimin e procesit. ar.ba