E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lume Blloshmi sjell mrekullinë e jetës në galerinë ZETA



Këtë të enjte, në mjediset e galerisë private të artit ZETA në kryeqytet, piktorja Lume Blloshmi do të rishfaqë punët e saj më të fundit për publikun artdashës shqiptar e të huaj. Ekspozita personale e Blloshmit titullohet “Një jetë e mrekullueshme” dhe çelet në kuadrin e bashkëpunimit të galerisë ZETA me Institutin e Artit Bashkëkohor, Tiranë, TICA. Lume Blloshmi ka ditur gjithmonë si të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të kritikës, qoftë asaj vendase apo dhe të huaj, me gjetjet e saj, eksperimentimet e ndryshme, ngjyrat dhe penelatat që e karakterizojnë piktoren herë lakuriq, herë absurde e herë transparente për gjithkënd që di të shohë përtej asaj që duket. Në fakt, siç pohon vetë kuratori i kësaj ekspozite, Edi Muka, prej disa kohësh Lume Blloshmi është në kërkim të pasurimit të praktikës së saj artistike, duke lëvizur në hapësira të reja ekstrapiktorike. Duke mos e tradhtuar origjinën e saj si piktore, artistja ridimensionon punën e saj përmes futjes së subjekteve të marra nga jeta e përditshme, të përzgjedhura përmes vëzhgimit të pastër instinktiv. Duke përdorur satirën dhe aktin Dushampian të “emërdhënies”, Lume Blloshmi ndërton një univers të vogël, në të cilin, nëse shohim me kujdes, vërejmë që ka atë vetë në qendër dhe personazhet e saj sillen rrotull si planetë të vegjël të ndërvarur. Në të njëjtën kohë, kjo ekspozitë do të sjellë për publikun edhe disa pjesëza të reja nga seria në vazhdim “It’s a men’s world” (Është një botë burrash). Por që të organizohet një ekspozitë në mënyrë krejt private, natyrisht që duhen edhe fondet. Në këtë drejtim, ekspozita e Lume Blloshmit mundësohet përmes mbështetjes bujare të FAVA-s (Fondacioni për Artin Pamor Shqiptar Përtej Kufijve), e cila i përkushtohet mbështetjes së arteve të bukura në Shqipëri përmes ndihmës së komunitetit të biznesit dhe ruajtjes së koleksionit të veprave shqiptare si kontribut në ruajtjen e një pasurie të rrallë.
Petrika GROSI

TEATRI

“Martesa e një avokati” çel festivalin e aktrimit të gjimnazeve në Fier

Pjesa teatrale “Martesa e një avokati” është shfaqur në teatrin “Bylis” nga nxënësit e shkollës së mesme “Perikli Ikonomi” të Fierit. Shfaqja u prit me ngrohtësi dhe ngjalli momente emocionuese. Në sallë, regjisori i shfaqjes, aktori i mirënjohur Todi Llupi, kishte përzgjedhur pjesën “Martesa e një avokati”, të autorit Foqion Postoli, material letrar që i përshtatet tematikës së moshës rinore. Në lojën e amatorëve vërehej dashuri dhe pasion për artin skenik. Ata, me dëshirën dhe përkushtimin ndaj ëndrrës së tyre për skenën, dhanë një shfaqje të pëlqyeshme. Në rolin e avokatit luajti Romario Hasani, në rolin e shërbyesit Aldo Rrahmanaj. Debutuan gjithashtu M. Mullaj, A. Aliu dhe E. Kaja. Në qendër të kësaj pjese letrare qëndron përpjekja e tri zonjushave për ta joshur avokatin e ri, të pashëm e të njohur, duke i propozuar secila lidhje kurore. “Martesa e avokatit” është shfaqja e parë teatrale që hapi siparin e festivalit të aktrimit, ndërmjet shkollave të mesme, aktivitet që do të vijojë për një javë me shpalljen e më të mirëve.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›