Skandali, Pango ftohet të dëshmojë
Trazhgim Sokolaj
Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, do të ftohet për të dëshmuar për llogari të hetimeve që po zhvillohen mbi mundësinë që ai të ketë kërkuar favore personale nga vajzat e interesuara për punë në dikasterin e drejtuar prej tij deri pak ditë më parë. Për shkak të imunitetit parlamentar, Prokuroria tha se nuk mund të thërrasë në organin e akuzës deputetin dhe ish-ministrin e PD-së. “Ai do të ftohet të paraqitet për të dhënë sqarime me vullnetin e tij për ngjarjet e bëra publike në emisionin “Fiks Fare”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, regjistrimet filmike dhe zanore të takimeve e bisedave mes ish-ministrit dhe aplikanteve për punë, nuk përbëjnë në mënyrë direkte provë materiale. “Ato janë regjistrime të paautorizuara sipas ligjit nga gjykata dhe prokurori dhe si të tilla nuk përbëjnë provë në procesin penal”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, deklarimet e vajzave dhe të vetë ish-ministrit lidhur me imazhet filmike, për takimet e regjistruara mund të konsiderohen prova gjatë hetimit të çështjes. Në këtë linjë procedurale, Prokuroria ka përfunduar transkriptimin e bisedave të zhvilluara në tre takimet që janë regjistruar në mënyrë të fshehtë gjatë muajit shkurt 2009. Dialogu mes ish-ministrit dhe secilës nga vajzat si dhe përshkrimi konkret për veprimet e personazheve, janë hedhur në letër nga hetuesit. Ata kanë verifikuar videot për disa ditë me radhë dhe më pas kanë zbardhur dialogun dhe përshkrimin e veprimeve të kryera prej personazheve të regjistrimit. Transkriptimet e nxjerra prej regjistrimeve filmike pritet të konfirmohen gjatë marrjes në pyetje të tri vajzave dhe vetë ish-ministrit Pango.
Dëshmitë e vajzave
Tri vajzat që kanë kontaktuar me ish-ministrin e Kulturës janë dëshmitaret e para që thirren në prokurori për ngjarjen e konsideruar si skandal seksual. Aplikantet për punë pritet të ballafaqohen me transkriptimet e regjistrimeve filmike dhe zanore, ndërsa hetuesit do të kërkojnë konfirmim për bisedat dhe veprimet e ish-ministrit Pango. “Nëse vajzat konfirmojnë ngjarjet që kanë ndodhur, atëherë dëshmitë e tyre konsiderohen si prova penale dhe hetimi i çështjes shkon më tej me ftesën drejtuar deputetit Pango për të dhënë sqarime me vullnetin e tij”, thanë burimet e Prokurorisë. Një ditë pas publikimit të pamjeve filmike ku ish-ministri shfaqet duke kërkuar favore seksuale nga vajzat, prokuroria filloi hetimet. Procesi u hap në kuadër të akuzave “kryerje të marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën, mbetur në tentativë” dhe “korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248, 105 dhe 259 të Kodit Penal. Prokuroria fillimisht konfirmoi atenticitetin e regjistrimeve filmike e zanore dhe më pas realizoi edhe disa verifikime plotësuese. Dëshmitarja e parë që është kërkuar të pyetet është vajza e cila hyri në banesën private të deputetit Pango. Nga tre takimet objekt hetimi, raporti i saj me ish-ministrin në banesën e këtij të fundit, është konsideruar më pranë veprave penale për të cilat po heton Prokuroria. Kjo e fundit tha se nga sa është fiksuar në regjistrimet e fshehta, episodi i takimit në shtëpinë e ish-ministrit ka disa situata të cilat duhet të sqarohen përmes ballafaqimit të dëshmive.
“Pango”, Bumçi: Rama ka dhunuar gruan e tij
Çështja “Pango” ka qenë sërish i debatit parlamentar, por kësaj here maxhoranca e ka përdorur për ta kundërvënë ndaj kryesocialistit Edi Rama. Diskutimet e të gjitha deputetëve të maxhorancës Bumçi, Hoxha, Bylykbashi, Skuqi dhe Xhaferri kanë qenë kundër Ramës. “Kryetari i PS-së nuk kishte të drejtën që të diskutonte në lidhje me ditën e 8 Marsit, pasi ishte ai që dhunoi gruan e tij”, deklaroi Bumçi. “Ministri i Kulturës u shkarkua për katër minuta vetëm se tentoi të dhunonte një gazetare, kurse ju liderin tuaj kërkoni ta bëni kryeministër megjithëse se me pamjen e tij lakuriq ka dashur të dhunojë të gjitha gratë shqiptare, i ka dhunuar të gjitha gratë shqiptare. S’ka pse ju vjen keq s’po them ndonjë gjë të pavërtetë, një ish-ministër që shkarkohet për katër minuta dhe një lider opozite që doni ta bëni kryeministër kur ka dhunuar gratë e gjithë vendit. Nëse ju duken normale pamjet lakuriq të Edi Ramës, ky nuk është problemi jonë”, tha në fjalën e tij demokrati Xhaferri. Deputeti Bylykbashi theksoi se “me shkarkimin e ministrit të Kulturës u vendos një standard. Ju jeni peng i madh i liderit tuaj, le të shërbejë rasti Pango si standard dhe për liderin tuaj”. Ndërsa deputeti i PS-së, Erjon Braçe kërkoi që të ndërpriten këto debate fyese ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama. Ndërsa socialisti Rrapush Tole reagoi ndaj këtyre qëndrimeve deklaroi se: “Për Edin Ramën e patë votën në zgjedhjet lokale të 2007 dhe do ta shihni në votimin e qershorit ‘09”. Ndërsa deputetja socialiste Rajmonda Stefa deklaroi se “personalisht si grua është e fyer nga deklaratat e lëshuara nga ana e deputetit të PD-së, Xhaferri, duke mos ruajtur etikën në sallën e Parlamentit”.
Kaçani-Kule, deklarata të ndryshme për Pangon pedagog
Këshilli i etikës në Universitetin e Tiranës duhet të vendosë nëse Ylli Pango do ta humbë përfundimisht të drejtën për të dhënë mësim në shkollat e larta. Këtë mendim ka Kryetari i konferencës së rektorëve, Jorgaq Kaçani. Sipas tij, në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, Këshilli i Etikës duhet të shqyrtojë çështjen, pasi sipas tij është shkelur morali. Sa i përket titullit profesor që ka ish-ministri, universitetet nuk kanë asnjë të drejtë të vendosin mbi të. Këtë titulli mund t’ia heqë vetëm komisioni që ja ka dhënë. “Në ligjin e Arsimit të Lartë, në nenin 27 të tij, ngrihet edhe Këshilli i Etikës dhe Këshilli i Etikës vepron mbi bazën e një rregulloreje, e cila miratohet në Senatin Akademik dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Etik janë anëtarë të miratuar nga Senati Akademik. Akti i parë që duhet kryer është të vendoset në vend morali dhe pas kësaj të fillojnë të gjitha procedurat e tjera. Pra z.Pango duhet ta sqarojë këtë ngjarje në linjë institucionale dhe pas kësaj, ai mund të fitojë të drejtën e dhënies së mësimit” tha Kacani. Ndërkohë Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka të drejtën të punësojë apo ajo si pedagog të jashtëm apo me kohë të plotë, nuk ka pranuar të prononcohet publikisht për rastin në fjalë. Ai ka deklaruar se ish ministri Pango nuk ka qenë këtë vit pjesë e stafit akademik dhe se aktualisht nuk ka marre ende një kërkesë nga Fakulteti i Shkencave Sociale, nëse ai duhet të jetë ose jo më pjesë e stafit. ”Ylli Pango aktualisht nuk e ka statusin e pedagogut. As të brendshëm dhe as të jashtëm. Pra nuk ka asnjë lidhje momentalisht me Universitetin e Tiranës. Sa i përket titullit profesor, ai as unë dhe as dikush tjetër nuk ka maturitetin për të vendosur për të”, është shprehur Kule. Sipas tij, është pa sens që të merren masa në një kohë kur Pango nuk është pedagog. Ish-ministri i Kulturës ka qenë për vite me radhë pedagog e dekan në Fakultetin e Shkencave Sociale në kryeqytet. Pas publikimit të skandalit seksual, një pjesë e stafit akademik mendon se ai nuk duhet ta gëzojë më të drejtën për të dhënë mësim në shkollat e larta. Por në deklaratat publike, Pangos kjo i është kundërshtuar me forcë.