“Kërkesat e ish-pronarëve deri në 2014”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Gilman Bakalli depoziton në Kuvend nismën ligjore që u jep edhe pesë vjet kohë ish-pronarëve të depozitojnë kërkesat e tyre pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas draftit të paraqitur së fundi nga deputeti i PLD, afati i fundit për këto kërkesa nuk duhet të jetë 31 dhjetori 2008, por 30 qershori 2004. “Fjalët ‘31 dhjetor 2008’ të zëvendësohet me fjalët deri në datën ‘30 qershor 2014’. Në rast se subjekti i shpronësuar për shkaqe të përligjura nuk ka arritur të depozitojë kërkesën, ka të drejtë të rivendosë afatet nëpërmjet gjykatës”, thuhet në amendamentin e deputetit Bakalli. Sipas relacionit, rezulton se në të gjitha zyrat e AKKP-së në qarqe ka radhë të gjata prej qindra subjektesh të shpronësuara, që kërkojnë të hapin dosje. “Një problem tjetër që ka penguar subjektet e shpronësuara për hapjen e dosjeve është dhe rinovimi i plotë i gjithë dokumentacionit. Gjithë dokumentet që kërkohen kanë formate të caktuara, duke bërë të pavlefshme dokumentet e vjetra, të paraqitura. Kjo ua ka vështirësuar pafundësisht punën e plotësimit të dokumentacionit subjekteve të shpronësuara, sidomos nga ana financiare, deri në atë pikë sa për të marrë një vërtetim të thjeshtë, me dy rreshta, paguajnë 500 lekë të reja, pa llogaritur kostot nën dorë”, thuhet në relacion.