E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, dy vrasje nga pakujdesia brenda ditës, pranga 2 autorëve

 

TIRANE - Dy vrasje nga pakujdesia kanë ndodhur në të njëjtën kohë, por në zona të ndryshme në kryeqytet. Viktimat kanë qenë një djalë 3-vjeçar me iniciale K.S. dhe 27-vjeçari Albert Duka. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur ditën e diel në Shkozë dhe në Marqinet të Tiranës. Policia ka arritur të arrestojë 3 persona me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, për të dy rastet. Në pranga kanë përfunduar vëllezërit Bexhet dhe Sali Vogli, për vrasjen e të miturit K.S. në Shkozë dhe Mustafa Topi për vrasjen e mikut të tij Albert Duka. Burime nga policia bënë të ditur se 3-vjeçari është ndodhur rastësisht në vendin ku po ziheshin 3 persona.
Dy vëllezërit Bexhet dhe Sali Vogli, 33 dhe 24 vjeç, kanë qenë duke ecur me makinë me shpejtësi dhe Ilir Faslliu, fqinj i tyre u ka bërë thirrje që të ndalojnë, sepse zona ishte shumë e banuar dhe kishte edhe fëmijë përreth. Në një moment acarimi, ata janë grindur dhe goditur me grushte me 40-vjeçarin Faslliu, të cilit i kanë shkaktuar plagë të lehta në fytyrë. Si pasojë e këtij sherri ka gjetur vdekjen 3-vjeçari, i cili është ndodhur rastësisht në vendngjarje gjatë kohës së këtij konflikti dhe në atë moment njëri nga personat është përplasur me të duke e rrëzuar. I mituri ka rënë me kokë në asfalt dhe ka gjetur vdekjen. Ndërkohë një tjetër vrasje nga pakujdesia ka ndodhur në fshatin Marqinet.
Një djalë i ri ka gjetur vdekjen kur po punonte, ndërsa miku i tij është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Burime nga policia bënë të ditur se 44-vjeçari Mustafa Topi, lindur dhe banues në Vorë, ndodhej së bashku me pronarin e mjetit fadromë, 27-vjeçarin Albert Duka, kur ndodhi incidenti fatal. Duka ishte duke kontrolluar dhe riparuar tubat për rrjedhjen e vajit të fadromës dhe është goditur në kokë nga pistoni që bën uljen dhe ngritjen e kolonës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pasi janë kryer të gjitha veprimet hetimore, policia ka arrestuar Mustafa Topin me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, pasi dyshohet se e ka goditur aksidentalisht me pistonin e makinës në kohën kur ky po punonte poshtë saj.            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›