E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese dhe procesi i saj ripërtëritës

TIRANE- Në sistemin politik dhe shtetëror në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese ka një rol dhe pozitë thelbësore. Funksioni i sajështë ruajtja e kushtetutshmërisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe vendimet e saj janë të detyrueshme për çdo individ e institucion. Të gjithë flasin për Kushtetutën, të gjithë akuzojmë të tjerët për veprime antikushtetuese, të gjithë justifikojmë vendimet politike në emër të Kushtetutës, por vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta thotë fjalën e fundit se çfarë është kushtetuese dhe çfarë jo. Për shkak të rolit të saj në hierarkinë e sistemit qeverisës, gjithçka që lidhet me Gjykatën Kushtetuese është dhe mbetet çështje prioritare e politikës, e institucioneve dhe e publikut. Jemi mësuar ta shohim këtë në çdo rast kur gjykata ka dhënë verdikte juridike, kur vendimet e saj kanë atakuar ligje të rëndësishme të maxhorancave apo nisma qytetare, kur është diskutuar mbi mandatet e drejtuesve të institucioneve të tjera kushtetuese, apo leximin si duhet të kompetencave bazë në marrëdhëniet President – Parlament – Ekzekutiv – Gjyqësor. çdo vendim ka qenë i rëndësishëm, sepse jepet në emër të Kushtetutës, por ka momente kur rëndësia e Gjykatës i kalon kufijtë e aktivitetit normal, dhe kështu shndërrohet në moment prove për vetë sistemin politik dhe qeverisës. I tillë ishte viti 1992, kur u hodhën themelet e para të kësaj gjykate, i tillë ishte viti 1998, kur pushteti politik ndryshoi përbërjen dhe drejtimin e kësaj gjykate, i tillë ishte nëntori 1998, kur Kushtetuta e re i dha një rol thelbësor kësaj gjykate dhe i tillë, me të njëjtën rëndësi kushtetuese, politike dhe publike është edhe viti 2010, kur do të kryhet procesi zëvendësues i gjashtë prej nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në vendet me traditë demokratike, zakonisht procesi i zëvendësimeve dhe zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese prek një deri në tre anëtarë. Vetë sistemi i mandateve ndërtohet i tillë, që t’i largohet praktikës së ndërrimeve kolektive. Sepse, zakonisht zgjedhja bëhet nga Presidenti (sistemet presidenciale), dhe Presidenti e parlamenti (në sistemet parlamentare). Në dy rastet, ushtruesit e kompetencave në këto institucione janë produkte politike, ndaj edhe është paraparë kufizimi i mundësive për kontroll politik të institucioneve që zgjidhen prej tyre, sidomos Gjykatës Kushtetuese. Në Shqipëri nuk kemi një traditë, dhe me përvojën e deritanishme kemi krijuar precedentë jo aq pozitive. Në dy raste dy drejtuesit kryesorë janë zgjedhur nga mandatet politike parlamentare të shumicës së rastit, kurse në dy rastet e tjera zgjedhja ka anuar më shumë nga ekspertët konstitucionalistë, por në kushtet e presionit të madh politik. Gjithsesi, pranohet se tashmë kjo gjykatë i është larguar frymës partiake dhe është shndërruar në një institucion të besueshëm dhe shumë pranë modelit të parashikuar në Kushtetutë. Më 2010, në pranverë dhe në vjeshtë, skadojnë mandatet e gjashtë anëtarëve të Gjykatës dhe ai i kryetarit të radhës. Presidenti dhe parlamenti do të duhet të bëjnë zëvendësimin e tyre, dhe në fund të vitit do të kemi një Gjykatë Kushtetuese tërësisht të re. Mandatet e të zgjedhurve të rinj do të jenë 9-vjeçare, dhe pas shortit ripërtëritës çdo 3 vjet, vijojnë deri më 2019. Teorikisht, deri atëherë do të jenë zhvilluar edhe dy zgjedhje parlamentare, tri zgjedhje lokale dhe dy zgjedhje presidenciale, pra nuk mund të ketë asnjë parashikim se si më 2019 do të jetë flamuri politik i maxhorancës dhe Presidentit. Për shkak të rolit të theksuar më lart në ruajtjen dhe garantimin e sistemit kushtetues dhe kushtetutshmërisë në vend, zgjedhja e anëtarëve të rinj në këtë gjykatë nuk është një proces rutinë, është proces thelbësor, me rëndësi ndofta shumë herë më të madhe sesa zgjedhjet parlamentare apo presidenciale. Gjashtë mandatet e reja do të përcaktojnë doktrinën dhe praktikën kushtetuese në 9 vitet e ardhshme, ndaj edhe përzgjedhja e tyre meriton të gjithë vëmendjen, seriozitetin dhe solemnitetin e duhur.Deri përpara vitit 2002 zgjedhja bëhej mbi kritere kryesisht preferenciale të maxhorancave dhe liderit partiak në fuqi. Pas 2002 procesi u zgjerua, duke përfshirë një garë profesionale dhe debat publik paraseleksionues, dhe në fazën finale, me konsultime intensive, midis grupeve të maxhorancës dhe të opozitës parlamentare. Ideja ishte rritja e transparencës në procesin selektiv, afrimi i kapaciteteve profesionale dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë politik, i cili në mos zgjidhja më e mirë, të paktën eliminonte zgjidhjen më të keqe, atë të zgjedhjes përmes kritereve të njëanshme partiake. Me gjithë vështirësitë dhe problemet, kjo praktikë dominoi dhe rezultati i saj (anëtarët dhe kryetarët e zgjedhur në vitet 2002-2007) ka justifikuar besimin e institucioneve propozuese. Kjo praktikë u vijua edhe pas vitit 2007, por në rastin e Gjykatës së Lartë parlamenti rrëzoi në mënyrë kolektive dhe pa argument ligjor të gjitha dekretet e Presidentit. Nën presionin ndërkombëtar, i njëjti parlament u detyrua të pranojë paketën e dytë nominale për Gjykatën e Lartë.Në muajt e ardhshëm do të jetë rasti për të parë nëse është reflektuar nga kjo përvojë komplekse e së kaluarës së largët e të afërt dhe nëse politika ka vetëdijen e nevojshme për të marrë vendimet më të mira të mundshme. E rëndësishme është të kuptohet se procesi nuk është administrativ, dhe as politik, është shumë më tepër se kaq. Zëvendësimi i 70% të Gjykatës nuk është çështje votash, çështje emrash, çështje njohjesh apo praktike rutinë. është një çështje demokracie dhe integriteti. është rasti të dëshmohet se demokracia funksionon. Formalisht është e drejtë vetëm e institucionit të Presidentit dhe të parlamentit të vendosë për Gjykatën e re Kushtetuese, substancialisht procesi i përket të gjithë sistemit qeverisës dhe publikut. është e pritshme që institucionet përkatëse emërtuese të kenë menduar dhe parashikuar etapat e procedurave të përzgjedhjes. Ky proces nuk cenohet nëse theksohen publikisht disa elementë thelbësorë të tij, tipikë për vendet me demokraci funksionale. Së pari, do të duhej që procesi seleksionues dhe vendimmarrës të jetë sa më publik. Gara publike ndihmon edhe propozuesin, edhe organin miratues të peshojë mbështetjen publike dhe të qarqeve profesionale gjyqësore e juridike të secilit emër. Transparenca publike do të bëhej më e plotë dhe cilësore nëse do të kishte një debat publik profesional, seancë dëgjimi në universitet dhe në komisionin parlamentar, pra një garë profesionale midis kandidatëve, një test publik që mund të dëshmojë se zgjedhja finale të ketë arritur standardet e duhura të transparencës. Së dyti, do të duhet të ketë një kriter të fortë dhe të panegociueshëm refuzues për kandidatët me ngarkesa politike. Një gjyqtar që ka zgjedhur periodikisht të jetë një vit politikan dhe vitin tjetër gjyqtar, nuk mund të ketë besueshmëri të garantojë pavarësinë dhe integritetin e sistemit kushtetues. Praktika e emërimeve të individëve me sfond politik, e kuptueshme më 1992 apo më vonë, e aplikuar më 2010, do të ishte e dëmshme dhe një kthim serioz pas. Së treti, procesi duhet të jetë sa më cilësor, pra të ofrojë kandidatë që kanë integritet, kanë aftësi profesionale dhe akademike, kanë CV aktive gjyqësore apo universitare, dhe më tej, kanë punë kërkimore e studimore në fushën kushtetuese, si standard minimal i qenies kandidat potencial për në Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria duhet të lërë pas kohën kur në nivelet më të larta të vendimmarrjes kushtetuese e ligjore arrinin emërime të rastësishme, individë pa një sprovë profesionale të njohur nga publiku dhe qarqet juridike, për të mos thënë, emra që rrallë herë në jetën dhe aktivitetin e tyre kanë denjuar të lexojnë një libër kushtetues, të praktikave kushtetuese apo më tepër, të reflektojnë në rrugë akademike mbi to.Së fundi, për t’u bërë edhe më i plotë procesi kërkon një kompromis politik, në mos për mbështetje konsensuale të zgjedhjeve nga vetë institucioni propozues, të paktën për evitimin e gjykimit partiak në votën pro apo kundër dekreteve. Praktika e vitit 2004, 2007 dhe 2008 e rrëzimeve politike apo kolektive të dekreteve presidenciale, në kushtet aktuale, mund të jenë jo vetëm penguese, por edhe kërcënuese për integritetin e sistemit kushtetues në vend. Nga ana tjetër, një gjykatë si produkt i balancuar edhe në preferenca politike (në votën parlamentare) është shumë herë më e mirë dhe më efektive sesa një gjykatë e njëanshme politike (votë vetëm nga një krah parlamentar). Për fat të keq, ende as maxhoranca dhe as opozita nuk e ka vendosur këtë çështje në axhendën e prioriteteve, një sinjal ky negativ, që tregon ose mungesë vizioni në hartimin e axhendave drejtuese politike, ose mungesë kulture kushtetuese për solemnitetin e këtij procesi. Ende nuk ka asnjë nismë debati profesional, as nga grupet profesionale të gjyqësorit apo qarqet universitare e akademike që veprojnë në këtë fushë. Nëse vijohet kështu, me zgjidhje në momentin e fundit, produkti do të jetë më shumë nën presionin e kohës sesa të kritereve.Të gjitha këto mendime kanë vlerë në kushtet normale të funksionimit të demokracisë. Aktualisht jemi në kushte jonormale, vendi ndodhet në krizë politike, në parlament ndodhet vetëm një palë dhe nëse deri në pranverë nuk ka zgjidhje politike, procesi i zgjedhjes së Gjykatës së re Kushtetuese rrezikon të jetë i njëanshëm. Dhe, një Gjykatë Kushtetuese që prodhohet nga një palë, është zgjidhje shumë herë më e keqe e më me shumë pasoja sesa një parlament që funksionon me vetëm një palë. Një palë parlamentar mund të marrë vendime politike, emocionale apo flamurtare, shpeshherë edhe në anashkalim të Kushtetutës (gjë që shpesh ka ndodhur), por gjithnjë kemi qenë të qetë duke pasur një hallkë kontrolluese, siç është Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo e fundit bie pre e zgjedhjeve të njëanshme partiake, atëherë shteti i së drejtës dhe demokracia shqiptare do të humbë edhe një dekadë tjetër(GSH/BalkanWeb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›