E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Lajcak, vleresohet bashkepunimi mes dy vendeve

TIRANE- Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Në këtë takim dy personalitetet e larta vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe shprehën besimin për thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha nivelet. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Topi dhe Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak nënvizuan rëndësinë e forcimit dhe të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, kulturës, shkencës. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi hapjen zyrtare sot të përfaqësisë diplomatike sllovake në Tiranë, si një kontribut i drejtëpërdrejtë e konkret për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në Sllovaki dhe në mbarë Evropën e Bashkuar. Ministri sllovak është takuar dje dhe me kryeministrin Berisha . Sipas zyres se kryeministrise dy zyrtarët diskutuan edhe mbi bojkotin e opozitës. Kryeministri Berisha i bëri me dije ministrit Lajcak gatishmërinë e mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të çështjeve të vendosura tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata. Ministri sllovak u shpreh se askush nuk e përkrah bojkotin dhe në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›