E Diel, 1 Nëntor 2026

Stadiumi pa drita, ndryshon orari i Tirana-Dinamo

TIRANE-Derbi mes Tiranës dhe Dinamos, i programuar për të hënën në orën 18.00 do të spostohet në orën 14 të kësaj dite për shkak se stadiumi është ende pa drita. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, që ka rënë dakord me klubet për këtë ndryshim të orarit. Stadiumi “Qemal Stafa” është ende pa energji elektrike, pasi transformatori i djegur në mesin e ndeshjes Gramozi-Real Madrid nuk është zëvendësuar për shkak se zona është nën mbikëqyrjen e Prokurorisë. Kabina e stadiumit konsiderohet vendi i ngjarjes dhe organi i akuzës ka bërë të ditur se aty nuk mund të bëhet asnjë veprim pa mbaruar ekspertiza e plotë e shkaqeve që çuan në djegien e transformatorit të mërkurën në mbrëmje. Tirana-Dinamo në këtë mënyrë do të luhet të hënën në orën 14, një orar që gjithsesi nuk duket i përshtatshëm duke qenë se është një ditë pune. Orari dhe dita e luajtjes së kësaj ndeshjeje, tepër e rëndësishme për fatet e kampionatit, janë kthyer në një telenovelë të vërtetë. Ajo u programua që të luhej të dielën në orën 18, por u shty me mirëkuptim mes klubeve nga frika se tifozët do të qëndronin në shtëpi për të pritur derbin e mbrëmjes në Serinë A italiane Inter-Milan. (BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›