Gjykata Kushtetuese, dorëhiqet anëtari Petrit Plloçi
Tiranë- Është dorëhequr sot nga posti që mban anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi.
Mësohet se dorëheqja i është dorëzuar kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedjës dhe një kopje i është dërguar presidentit.
Plloçi në letrën e dorëheqjes shprehet kundër zgjatjes së mandatit të tij.
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Por, mandati nuk mund të zgjatet kaq shumë dhe në mënyrë kaq substanciale. Kjo bie ndesh me vetë Kushtetutën që e parashikon mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 9- vjeçar- shkruan Plloçi.
Plloçi ka qënë një prej anëtarëve të Kushtetueses që doli kundër vendimit të mazhorancës se emërimet e reja për në gjykatë duhet të bëhen në 2013-ën për të respektuar rotacionin e anëtarëve të saj.
Petrit Plloçi ishte anëtar i kësaj gjykate që prej vitit 2001 dhe ka një vit që i ka mbaruar mandati. Ai ka qënë anëtar i Gjykatës së Lartë në vitet 1993-2000, po ashtu ka qënë edhe anëtar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe i KLD-së.
Tashmë gjykata pritet të shpallë vendin vakant dhe procedurat për zëvendësimin e Plloçit do të merren nga Parlamenti dhe Presidenca.