E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese e Austrisë ndalon dëbimin e shqiptarit

Qëndrimi ilegal në Austri për më shumë se 10 vjet nuk është arsye për dëbimin e të huajit në vendin e prejardhjes. Këtë përfundim e ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese e Austrisë në rastin e një kosovari, pas ankesës së bërë nga ky i fundit. Autoritetet e landit Steiermark kishin vendosur ta kthenin atë mbrapshtë në Kosovë, me arsyetimin se, duke qëndruar kaq gjatë ilegalisht në Austri, ai ka shkelur ligjin.

Por, ndryshe ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese, shkalla më e lartë e gjyqësisë. Sipas saj, në rastin e kosovarit autoritetet është dashur të kenë parasysh integrimin e tij të suksesshëm në punë dhe jetën e tij familjare, private në Austri. Për këtë arsye, Kushtetuesja ka anuluar vendimin e mëparshëm për dëbim të kosovarit.

Kryefamiljari 39 vjeçar nga Kosova kishte ardhur në Austri në vitin 2001, shkruan “Die Presse”, transmeton Albinfo. Përveç periudhës së shkurtër deri sa ishte duke pritur t`i njihej azili, gjatë gjithë kohës tjetër ai kishte qëndruar ilegalisht në këtë vend. Por, siç ka konstatuar Gjykata Federale, ai ishte i integruar mirë, e flet gjermanishten rrjedhshëm, nuk ka histori kriminale dhe ka punuar gjatë gjithë kohës, duke mos u bërë barrë e shtetit.

Vendimi i autoriteteve për dëbimin e kosovarit, sipas Gjykatës Kushtetuese, është i padrejtë kur kihet parasysh shkalla e integrimit të tij në shoqërinë austriake, punën dhe njohjen e gjuhës. Për këtë arsye, Kushtetuesja e Austrisë e shpalli kundërkushtetues vendimin e mëparshëm për dëbimin e kosovarit me familje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›