E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese, nenet që janë shfuqizuar nga ligji për pensionet e Ushtarakëve



Laureta Rryçi

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë për pensionet e ushtarakëve. Ky vendim edhe pse në vetvete ka shumë kërkesa të rrëzuara, është një lajm i mirë për dhjetëra ushtarakë, pasi Gjykata ka vendosur të shfuqizojë pjesërisht nenin 14 që ka të bëjë me masën e pensionit të parakohshëm, nenin 27 tërësisht që ka të bëjë me ushtarakët të dënuar nga gjykata, dhe mbi të gjitha kufizon qeverinë duke i bërë një interpretim nenit 29 të ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, asnjë organ shtetëror nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimet e gjykatave që kanë përcaktuar masën e pensionit për ushtarakët. Qeveria mund të ndërhyjë vetëm në rast se ka ndërmend të rrisë këtë masë pensioni.
Padia
Vendimi i Kuvendit në muajin maj për të kaluar ndryshimet në ligjin për pensionet e ushtarakëve solli reagimin e menjëhershëm të shoqatave që përfaqësojnë të drejtat e kësaj kategorie. Pas dekretit të presidentit, ushtarakët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Kjo ishte hera e dytë që ushtarakët kërkonin shpalljen të papërputhshme me Kushtetutën, një ligj për pensionet e tyre, e njëjta situatë është përsëritur edhe në vitin 2007. Megjithëse atëherë Gjykata vendosi në favor të ushtarakëve ai nuk u mor asnjëherë parasysh. Aso kohe, ushtarakët kërcënuan se do t'i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg nëse Gjykata vendos për ta shpallur antikushtetues këtë ligj dhe ai nuk merret përsëri parasysh nga qeveria.
Pretendimet
Avokatët e palëve ankuese argumentuan para trupit gjykues se me miratimin e këtij ligji, në radhë të parë është shkelur parimi i sigurisë juridike dhe ai i barazisë para ligjit, të cilat mbrohen edhe nga dispozitat kushtetuese. Më tej ata theksuan se ky ligj ka sjellë zvogëlim dhe pakësim të përfitimeve si pensionet suplementare dhe rrogat e ndërmjetme të ish-ushtarakëve, ndërsa, sipas Kushtetutës, nëse janë dhënë një herë këto përfitime nuk mund të dhunohen, cenohen apo zvogëlohen pa një proces të rregullt ligjor ose pa u argumentuar se ky cenim bëhet për një interes të ligjshëm. Po ashtu një argument tjetër që tregon se ligji është antikushtetues, sipas avokatëve, ka të bëjë me faktin se ai është miratuar me procedura jo të rregullta parlamentare, në mungesë të opozitës në kuvend dhe pa u diskutuar me grupet e interesit apo me komisionet e nevojshme parlamentare. Nga ana tjetër, duke kundërshtuar pretendimet e avokatëve të ish-ushtarakëve, përfaqësuesit ligjorë të qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore kërkuan nga trupi gjykues rrëzimin e kërkesës së shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Avokatit të Popullit, policëve në rezervë, etj. Sipas përfaqësueses ligjore të qeverisë, është e vërtetë që ka një zvogëlim të përfitimeve të kategorive të ushtarakëve dhe policëve por ajo është bërë me qëllim zmadhimin e numrit të përfituesve. Më tej ajo theksoi se projektligji i Qeverisë, i miratuar më pas nga Kuvendi, në propozimin e bërë ka refklektuar edhe vendimet e mëparshme të Gjykatës kushtetuese në lidhje me këtë çështje. Në të njëjtën linjë kanë qëndruar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore, duke sjellë argumente sipas të cilave ligji nuk cenon kategoritë përfituese të deritanishme, por ka si qëllim që të rregullojë në interes të të gjithë strukturave të ushtrisë dhe policisë përfitimet, që vijnë për shkak të detyrës. Ata kanë argumentuar se skema e re e pensioneve, vendosur nga ligji që ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, synon të vendosë një pagë mesatare, e cila do të ndihmojë në kategorizimin e përfitimeve bazë.

Gjykata Kushtetuese vendosi:
- Shfuqizimin si antikushtetues të pikës 2 të nenit 14, si dhe të nenit 27 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Nenet për të cilat ka mbajtur qëndrim Gjykata Kushtetuese

Neni 14
Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.

2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:

a) për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.

3. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.

4. Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

5. Në rastet kur karriera është ndërprerë, për shkaqet e përcaktuara në pikën 4 të nenit 12 të këtij ligji, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.

Neni 27
Përjashtimi nga përfitimi
Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje.

Neni 29
Rillogaritja e të drejtave të njohura
1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientët e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.

3. Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e nenit 11 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor l. 1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji.

25 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›