Të shtëna me armë gjatë aksionit antidrogë, bllokohen 11 kg heroinë
TIRANË - Një operacion antidrogë, i denjë për skenarë filmi, ka ndodhur pasditen e djeshme në hyrje të rrugës “Don Bosko” në kryeqytet. Policia është vënë në ndjekje të një automjeti ku udhëtonin 5 persona, në të cilin dyshohej se transportohej një sasi e konsiderueshme droge. Të rinjtë kanë tentuar t’i shmangen përballjes me policinë duke përplasur makinën e efektivëve në tentativë për t’u larguar. Policia ka qëlluar me armë në ajër, ndërsa ka bërë të mundur ndalimin e makinës, sekuestrimin e 5 kg heroinë dhe shoqërimin e 5 personave. Të shtënat me armë i kanë alarmuar banorët. Ngjarja ndodhi kur policia ishte duke bërë një aksion për bllokimin e një sasie të konsiderueshme droge prej rreth 5 kilogramë heroinë. Burime policore thanë se përplasja ka ndodhur mes disa efektivëve të sektorit të Antidrogës në Policinë e Tiranës dhe një grupi personash, të cilët u vunë në pranga me gjithë rezistencën e bërë. Siç është mësuar, policia ka qenë në zhvillim të operacionit antidrogë për arrestimin e pesë personave dhe këta të fundit u janë përgjigjur uniformave blu duke u përplasur makinën. Policët në aksion kanë qëlluar disa herë në ajër duke paralajmëruar të hetuarit që të mos largoheshin. Në ndihmë të efektivëve blu të Antidrogës kanë shkuar dhe forca të tjera të Policisë së Tiranës. Ende nuk është bërë e ditur nëse ka të dëmtuar mes personave të përfshirë në ngjarje. Policia ka shoqëruar pesë personat që ishin në ndjekje. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhjetëra forca policie. Në aksion merrnin pjesë dhe efektivët e Operacioneve Speciale të Policisë së Tiranës. Mësohet se operacioni ka vazhduar deri në orët e vona me kontrolle të shumta në banesat e të ndaluarve dhe në disa lokale në hyrje të rrugës “Don Boskos” në kryeqytet.
25 Qershor 2010