E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen letrat e dashurisë që shqiptarja i drejtonte biznesmenit grek



Artan CENA
ATHINË - Policia greke ka zbardhur një sërë letrash dashurie që shqiptarja Evangjelina Zharga i kishte dërguar biznesmenit grek, Taso Tsagaropoulos, para se ta vriste dhe më pas ta betononte në banjën e shtëpisë, të cilën e kishte me qira në një qytet të Greqisë. Media greke ka bërë të ditur se gruaja 54-vjeçare, e cila me bukurinë e saj mundi të mashtrojë shumë të moshuar duke u marrë pasurinë, e mbështetur nga një grup mafiozësh të organizuar mirë, ka qenë e dashuruar me biznesmenin grek Tsagaropoulos, 42 vjeç. Pikërisht për vrasjen e tij është duke u akuzuar Zhanga. Letrat e dashurisë janë zbardhur nga ditari që policia greke ka konfiskuar pas arrestimit të 54-vjeçares nga Saranda. Në ditar mësohet se ndodhen dhe shumë emra e numra telefoni që do ta ndihmojnë policinë greke që të zbardhë të gjithë anëtarët e bandës kriminale, që mendohet se drejtohej nga biznesmeni grek. Në këtë organizatë kanë marrë pjesë 13 persona, grekë dhe shqiptarë. Kjo gjë është bërë e ditur nga policia helene gjatë komunikimeve të saj me median.
Letrat e dashurisë
54-vjeçarja i kishte dërguar Taso Tsagaropoulos shumë letra dashurie dhe erotike. Në to ajo shprehte dashurinë që kishte për biznesmenin 42-vjeçar. Në letrat e dërguara ajo shkruante se nuk mund të jetonte asnjë minutë larg tij dhe ishte kaq shumë e dashuruar me Tsagaropoulos, sa ishte në gjendje të bënte gjithçka për të. “I dashur, falënderoj Zotin që të njoha. Ishte fati që më solli tek ti. Gjithmonë e jotja, Lia (Evagjelia)”, - shkruan ajo në një nga dhjetëra letrat.
Ndërsa në një tjetër shkruhej: “Taso, minutat dhe orët larg teje janë hidhërim për mua. Mezi pres momentin të të shtrëngoj në krahët e mi”.
Të gjitha letrat e drejtuara Tasos janë të shkruara me shumë pasion, përveç letrës së fundit, ku, e zhgënjyer nga 42-vjeçari, Evangjelina ka shkruar: “Edhe pse nuk mund ta pranosh dashurinë time dhe të më shikosh si femër, më është e mjaftueshme të të kem afër, qoftë dhe si shok ose si bashkëpunëtor”. Shumë shënime dashurie, por edhe poezitë për Taso Tsagaropoulos u gjetën të shkruara në axhendën e saj, e cila është sekuestruar nga autoritetet vendase.
Emrat e bashkëpunëtorëve
Në axhendën e Evangjelina Zhargas janë gjetur shumë emra me të cilët kishte kontaktuar dhe bashkëpunonte. Të gjithë emrat janë duke u kontrolluar dhe policia, që beson se axhenda e saj është ndihma më e madhe për zbardhjen e gjithë organizatës kriminale që kishte ngritur një rrjet të madh mashtrimesh, kryesisht të të moshuarve. I çuditshëm është mesazhi i shkruar në axhendë që i referohet vajzës së saj, e cila vrau veten nga turpi, pasi Evangjelina kishte vrarë me thikë babanë e saj në Korçë. “Zemra ime, më fal. Që tani e tutje do të jem gjithmonë me ty. Të dua. Mirupafshim Liana. Ishte vetëm 20 vjeç e 7 muaj”, -shkruan duke i kërkuar ta falë për vrasjen e të atit të vajzës.

Avokati akuzon policinë
Vrasja e 42-vjeçarit grek, dëshmia e dhënë në polici nga Zharga
ATHINË - Zbardhet dëshmia e dhënë në policinë greke nga shqiptarja Evangjelina Zhanga në lidhje me vrasjen e biznesmenit grek Tasos Tsagaropoulos. E arrestuar disa ditë më parë, dje ka folur dhe avokati mbrojtës i saj, duke zbardhur një pjesë të deklarimeve të shqiptares 54-vjeçare. Nga ana tjetër, avokati ka përgënjeshtruar dhe largimin e tij nga çështja. Sipas tij, biznesmeni Tsagaropoulos e përdorte Evën. Gjatë ditës së sotme 54-vjeçarja shqiptare do të përballet në hetuesi. Avokatit grek ka thënë gjatë ditës së djeshme se policia ka vepruar kundër ligjit duke e mbajtur 4 ditë pa përfaqësues ligjor shqiptaren dhe, sipas tij, asgjë nuk është e vërtetë derisa të përfundojë hetimi. Avokati i njohur grek, Vasili Tauksi, ka deklaruar se përgënjeshtron kategorikisht thashethemet që ai është tërhequr nga mbrojtja e 54-vjeçares që akuzohet për mashtrime, vjedhje dhe vrasje. Tauksis përgënjeshtroi lajmin duke theksuar se akoma asgjë nuk e ndalon që të mbrojë klienten e tij, cilado qoftë, të drejtat e njeriut janë të respektueshme dhe Greqia është një vend demokratik, ndaj dhe i respekton. “Lajmet e publikuara që thonë se unë janë tërhequr nga çështja e 54-vjeçares nuk janë të vërteta. Dje (dy ditë më parë) isha 5 orë me Evën dhe folëm për mbrojtjen e saj”, - tha avokati. Ai ka theksuar se nesër (sot) është dita më e rëndësishme për 54-vjeçaren shqiptare. “Nesër unë dhe bashkëshortja ime, që jemi avokatët mbrojtës të 54-vjeçares minoritare, do të jemi shoqërues të klientes sonë në hetuesi, ku ajo do të dëshmojë mbi akuzat e ngritura”, - shtoi Tauksis. Gjithashtu ai tha se 54-vjeçarja bënte pjesë në një grup të madh me në krye 42-vjeçarin që u betonua në Dikofto të Patrës. “42-vjeçari, kreu i grupit, i kishte marrë një viktime të grupit një milion e gjysmë euro dhe 54-vjeçares i ka dhënë vetëm 800 euro. Kjo u mërzit nga shuma e paktë që i dha dhe i tha se nuk ishte e kënaqur. 42-vjeçari i kishte thënë se ‘një prostitutë në OMONIA merr 80 euro në natë, ti more 800 euro për një natë erotike që kalove me një të moshuar, nuk të mjaftojnë?’”. Avokati ka ngritur pretendimet në lidhje me marrjen në pyetje të shqiptares, gjë që është bërë pa praninë e mbrojtjes. "Policia veproi jashtë ligjit që e mbajti katër ditë pa avokat në komisariat, dhe çdo pyetje duhet të ishte bërë në prani të mbrojtjes. Për këtë unë kam reaguar ashpër dhe do vazhdoj të reagoj, pasi është padrejtësi. Të drejtat e njeriut janë mbi çdo gjë tjetër dhe duhet t’i respektojnë ato", - përfundon avokati.

Jeta e 54-vjeçares Zhanga në Luca
Policia beson se 54-vjeçarja nga Saranda kishte gjetur viktimën e saj në Luca dhe po përgatitej të vepronte. 54-vjeçarja Evangjelina, por që fqinjëve u thoshte se quhej Maria, i mbushi mendjen të moshuarit që gjeti në Luca që ky të shiste një pronë në lagjen “Peristeri” pa u treguar të afërmve dhe të blinin një vend afër banesës së tyre në Luca për të ndërtuar një vilë. Pasi u arrestua 54-vjeçarja, burri që kishte banesën në Luca u zhduk, bashkë me atë u zhdukën edhe dy të rinj që punonin ditët e fundit aty. Policia është duke bërë hetime në banesë se mos ndoshta punimet ishin bërë për të zbukuruar shtëpinë kishin pasur si qëllim për të betonuar njerëz.

Dëshmia e fqinjës së Evangjelinës

Në një intervistë që ka dhënë pronarja e banesës në Dikofto, kriminelja minoritare deklaronte se ishte greko-amerikane dhe jo minoritare e rritur në Sarandë. “Erdhi në Dikofto dhe na tha se kishte lexuar në gazetë se ne jepnim me qira shtëpinë. Na telefonoi dhe nuk më takoi mua, por rastësisht u takua me djalin tim”, - thotë pronarja, e cila kërkoi të mbetet anonime. Më pas ajo tregon shumën e parave që i dha “greko-amerikania“ nga Saranda djalit të saj. “Kur u takua me djalin tim i dha një shumë të madhe parash dhe i dha të kuptonte se ishte shumë e pasur. Më pas erdhi të jetonte me një 61-vjeçar. Nuk kaluan disa muaj dhe dëgjuam që gati gjithë Dikoftoit i kishte kërkuar para borxh dhe nuk njihej si e pasur, por si e varfër”, - përfundon zonja që i dha me qira shtëpinë vrasëses minoritare.

Nga sa persona përbëhet grupi kriminal?

Do të kalojë shumë kohë që ngjarja të përfundojë dhe të mësojmë realitetin. Bashkëpunëtorët e 54-vjeçares me shumë emra janë grekë dhe shqiptarë. Një vilë e marrë me qira ku kishte banuar “merimanga” ishte paguar nga një 38-vjeçar taksist, i cili ishte shqiptar dhe që 54-vjeçarja e kishte fajësuar në fillim si autor të vrasjes. Policia beson se 38-vjeçari i hoqi pllakat e vjetra në bodrum, vendosi trupin e biznesmenit grek dhe më pas rivendosi pllaka të reja për të humbur gjurmën. Besohet se dëshmia më me vlerë është bërë nga një shqiptar, i cili kishte telefonuar në një media lokale dhe kishte dhënë shumë informacione për 54-vjeçaren. Në polici ai tha se ishte ftuar për të prishur dhe rindërtuar pllakat e dushit, mirëpo kishte refuzuar, pasi pronari nuk kishte lejë për një punë të tillë.

25 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›