Minatorët me sëmundje profesionale, sindikata kërkon kurimin falas
Ervin KOÇI
Shumica e minatorëve që kanë punuar prej vitesh në nëntokë vuajnë aktualisht nga sëmundje të ndryshme profesionale, një pjesë e të cilave me rrezik për jetën. Por si për hironi të fatit, pjesa më e madhe e tyre nuk posedon sot një librezë shëndetësore, në një kohë që nuk bëhet fjalë për kurimin e tyre falas. Pjesa më e madhe e minatorëve i kanë paguar gjatë gjithë kohës që kanë qenë në punë sigurimet e shoqërore dhe shëndetësore, por tani pjesa dërmuese e tyre nuk po arrin të përfitojë as vitet e pensionit sipas ligjit. Vetëm një pjesë e minatorëve të cilët janë aktualisht në marrëdhënie pune në disa miniera të vendit që drejtohen nga kompani private, kanë “privilegjin” e vizitave shëndetësore falas. Prej ditësh kanë nisur vizitat mjekësore për rreth 1000 minatorë të minierës së Bulqizës. Këtë gjë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Dilaver Përkoxha. Sipas tij, një gjë e tillë është realizuar në bazë të kontratës së nënshkruar mes firmës koncesionare austriake ACR, që aktualisht menaxhon këtë minierë dhe qeverisë shqiptare. Çdo të premte nisen drejt Tiranës për kontroll të përgjithshëm mjekësor 30-40 minatorë. Vizitat që përfshijnë një kontroll të përgjithshëm fizik të trupit dhe analiza mjekësore, realizohen në një klinikë private në Tiranë. Deri tani, nga rezultatet e këtyre vizitave janë konfirmuar se një pjesë e mirë e minatorëve, kanë rezultuar me sëmundje profesionale të nëntokës, kryesisht të prekur nga silikoza. “Sëmundja ka përparuar edhe për shkak se një pjesë e mirë e këtyre minatorëve, kanë një kohëzgjatje pune prej mbi 25-30 vjetësh”,- tha kryesindikalisti.
Minatorët
Ministria e Financave nuk ka pranuar të ulë moshën e daljes në pension për minatorët, pasi, kjo do të sillte prishje të skemës së sigurimeve, ndaj është gjetur si zgjidhje mënyra e dhënies së pagesës shtesë, si kundërpërgjigje për të plotësuar kërkesat e punonjësve të nëntokës. Kështu, pas protestave të herëpashershme të minatorëve, për të ulur moshën e daljes në pension, Ministria e Ekonomisë ka hartuar një projektligj të ri, “Për trajtimin e veçantë të minatorëve dhe punonjësve të tjerë që kryejnë punë të vështira”. Sipas draftit të ri, të përgatitur nga METE, parashikohet që mbi 3 mijë persona që i përkasin 117 profesioneve të vështira, edhe pse nuk do të dalin më herët në pension, mund të përfitojnë pagesë shtesë mujore. Sipas projektligjit të ri, përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenë 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion. Përsa i përket mënyrës së sigurimit të parave, fondi për të financuar pagesat shtesë nuk do të jetë pjesë e buxhetit të shtetit.
Drafti i qeverisë
Drafti i ri i qeverisë “Për trajtimin e veçantë të punonjësve që punojnë në profesione të vështira që i përkasin kategorisë së parë”, u bë publik kohët e fundit nga zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës. Sipas Alibalit, projektligji për trajtimin e veçantë përfshin 117 profesione të vështira dhe nga ai do të përfitojnë rreth 3 mijë persona, të cilët, nuk kanë mbushur ende moshën e pensionit, por kanë plotësuar 15 vitet e punës dhe kanë derdhur 30 vjet kontribute shoqërore. Kjo është edhe pika që penalizon pjesën më të madhe të punonjësve të nëntokës, të cilët, nuk mund të përfitojnë nga ky projektligj, një pjesë për arsye se kanë dalë nga puna për shkak të reformës së bërë pas viteve ’90, ndërsa pjesa tjetër, që punon aktualisht në miniera, nuk përfiton, sepse nuk ka plotësuar vitet e nevojshme të punës. Por, përveç kësaj pjesë të minatorëve, projektligji i ri ka lënë pa trajtim shtesë edhe naftëtarët, pasi profesioni i tyre përfshihet në kategorinë e dytë të profesioneve të vështira, i cili ka dhe numrin më të madh të punonjësve.
Reforma
Në parim investitorët e huaj, që kanë interesa në tregun minerar, janë shprehur pozitivisht ndaj projektligjit “Për minierat”, që po diskutohet këto ditë në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese. Duke u futur në detaje të sektorit, biznesi i huaj shfaqi disa shqetësime, sa i takonin pronësisë në disa zona minerare, të cilat pengojnë zhvillimin normal të aktivitetit. Shqetësime kishte edhe për gjobat, sa i takon institucionit që duhet t’i vendosë, pasi situata aktuale paraqitet tepër e paqartë. Projektligji i ri duhet të marrë në konsideratë raportin e vështirë që krijohet mes zotëruesit të veprimtarisë për shfrytëzim minerar dhe pronarit të tokës, ku gjenden mineralet e nëntokës. Një problem tjetër i evidentuar nga investitorët e huaj është dhe përcaktimi i dikasterit që do të miratojë gjobën në rastet e pasojave mjedisore, përveç Ministrisë së Mjedisit. Projektligji ka si qëllim kryesor mbrojtjen e interesave publikë, në raport me interesat e ngushta private, si dhe eliminimin e abuzimeve burokratike të administratës, në dhënien e licencave në sektorin minerar. Përfaqësuesit e kompanive të huaja më me zë në këtë sektor, vlerësuan projektligjin e ri, si një draft me standarde dhe që u jep zgjidhje problemeve që haseshin në ligjin e vjetër, në sektorin minerar.
Zhvillimi i tregtisë me pakicë, Shqipëria e 12-ta
Kompania amerikane e konsulencave “A.T. Kearney”, e cila për të nëntin vit ka publikuar Indeksin Global të Zhvillimit të Tregtisë me pakicë, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 12 në botë. Vendi ynë është përfshirë në këtë indeks për herë të parë. "Recensioni global ka ndryshuar panoramën dhe ka lënë pas tregje të vegjël, por të veçuar në një pozicion relativisht më të mirë. Të rinjtë që futen në renditje këtë vit janë tregje të vegjël si Shqipëria, Maqedonia, Republika Domenikane dhe Bosnjë Hercegovina",- thuhet në raport. Sipas këtij publikimi, Shqipëria është një treg i vogël, por me një perspektivë në vijim pozitive. "Shqipëria performon në Indeksin Global të Zhvillimit të Tregtisë me pakicë në vendin e 12-të, ku rezultatin më të mirë e shënon në aspektin që tregu ka ende shumë hapësira për t'u rritur, pasi nuk është 'i ngopur'",- vazhdon raporti. Në vlerësimin e Indeksit merret parasysh fakti se sa tërheqës është tregu i këtij vendi për investime, çfarë risku paraqet ky vend ku vlerësohet situata politike dhe ekonomike, hapësirat e mundshme në treg dhe presioni i kohës. "Shqipëria mbetet ende një vend i varfër me një GDP për frymë në nivelin 3370 dollarë. Deri në 2014-ën GDP-ja pritet që të rritet me 30 për qind, çka e kthen atë në një vend që duhet pasur në vëmendje në periudhën afatgjatë. Tregu i fragmentarizuar i ushqimeve operon në dyqane të pavarur, të vegjël dhe tregje të hapura të produkteve të prodhuara vetë",- thuhet në raport.
Ruli: Mbështetje për prodhimin vendas
Agro-industria e shkëputur nga prodhimi bujqësor, e që furnizohet me lëndë të parë importi përbën një problem me pasoja për bujqësinë dhe ekonominë në përgjithësi. Pas një vizite në stabilimentet e rrethit të Korçës, ministri i bujqësisë Genc Ruli tha se me skemat e mbështetjes po synohet ti jepet fund kësaj shkëputjeje. "Në Shqipëri kemi pasur dhe paradokse ku teknologji shumë moderne, po marr rastin e industrive të përpunimit të qumështit, nuk arrinin të punonin dot as me kapacitete 30 për qind. Pra, praktikisht ishin në gjendje falimenti. Pikërisht, me skemat tona të subvencionimit të fermës, duam të ndërhyjmë dhe në këtë drejtim, të korrigjojmë këtë fazë, duke i dhënë rëndësi pikërisht bazës prodhuese pa u zmadhuar madhësia e fermave. Zor se do të kemi një investim të kapitalit privat në industrinë agro-ushqimore",- tha ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. Rasti i Korçës është gjithashtu edhe një shembull sesi përveç prodhimit masiv dhe të përqendruar bujqësia ka potenciale të tjera të mëdha për zhvillim. "Korça ka një mori produktesh që janë tipike, të cilat do të hyjnë dhe në skemat e mbrojtjes së produkteve tipike, dhe që në skemën e zhvillimit të agroturizmit, që nga Voskopoja, Dardha, e disa vende të tjera të Korçës, këto produkte mund të marrin dhe një vlerë të shtuar për arsye se duke u zhvilluar ndoshta dhe simbolin në markën e prodhimit bio, vetëvetiu tregtohen si produkte të vlerës së lartë",- vijoi Ruli.
25 Qershor 2010