Kriza ekonomike, denoncime të shumta për mashtrime në para
Artan CENA
TIRANË - Kriza ekonomike ka lulëzuar biznese të reja në Shqipëri. Denoncimet e shumta në polici për mashtrime kanë vënë nën hetim shumë persona, të cilët kanë marrë para borxh dhe nuk i kanë kthyer dot. Nga denoncimet e bëra deri tani për marrje të parave borxh dhe mos kthimin e tyre, rekord mban Korça. Në komunikimet zyrtare të policisë me median, gati çdo ditë gjenden persona që janë denoncuar për mashtrime në shuma të mëdha parash. Në të gjitha rastet denoncuesit zotërojnë nga një deklaratë noteriale të nënshkruar nga të dyja palët, ku njihet shuma e parave të marra si dhe data e kthimit të tyre. Por fenomeni nuk është i përhapur vetëm në këtë qytet. Në zonat më të mëdha urbane të vendit, si në Tiranë, Durrës, Shkodër etj., nuk mungojnë denoncimet për dhënie parash borxh dhe moskthimin e tyre. Nga hetimet e bëra është arritur në konkluzionin se personat që kanë marrë para borxh nga individë të ndryshëm e kanë kryer këtë veprim pasi nuk kanë marrë dot ndihmë nga bankat, të cilat kanë dhe këste shumë të larta, si dhe procedura më të vështira se marrja borxh te një person, i cili ka mundësitë ekonomike.
Hetimet
Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se kanë marrë dhjetëra denoncime në lidhje me mashtrime në shuma të mëdha parash. Të ndodhur në një situatë të tillë, shumica e personave të denoncuar janë vënë në hetim në gjendje të lirë, pasi nga dëshmitë e dhëna ata kanë pranuar marrjen e parave dhe kanë premtuar kthimin e tyre. Në Kodin Penal në fuqi, në ndryshim nga Kodi Penal i mëparshëm, në përgjithësi “kryerja e veprës më shumë se një herë”, apo “përsëritja” nuk parashikohen si elemente përbërëse të veprës penale. Kështu, edhe neni 143 i këtij kodi, që parashikon se “vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Por, kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Sipas Kodit Penal të mësipërm (neni 31, germa “a” e Kodit Penal), me përsëritje kuptoheshin rastet e kryerjes nga personi më parë të një ose më shumë veprave penale, qofshin këto të njëllojta apo të llojeve të ndryshme, pavarësisht se ai kishte qenë ose jo i dënuar më parë dhe kur kjo (përsëritja) nuk ishte element përbërës i veprës penale. Në këtë rast, kur dispozita përkatëse nuk e parashikonte përsëritjen si element përbërës të figurës së krimit, vepra cilësohej si e kryer në rrethana rënduese, ndërsa kur dispozita penale e parashikonte përsëritjen si rrethanë cilësuese, nuk zbatoheshin rrethanat rënduese.
Rastet
Vetëm dy ditë më parë, në Policinë e Korçës janë paraqitur dy persona që kanë denoncuar se janë mashtruar. Një tregtar ka denoncuar një italian pasi kishte marrë karburant në një shumë prej 4.5 milionë lekësh duke i premtuar se do t’ia kthente paratë me këste. Por kur kjo gjë nuk ka ndodhur, shqiptari ka vendosur të bëjë denoncimin ndaj italianit. Një tjetër rast, brenda asaj dite, është denoncimi ndaj një të riu, i cili kishte marrë borxh shumën prej 1 milion lekësh dhe nuk i kishte kthyer në kohë të gjitha. Borxhdhënësi është paraqitur në polici me një deklaratë noteriale e nënshkruar nga të dyja palët, ku bëhej fjalë për shumën e marrë dhe afatin e kthimit. Por këto nuk janë rastet e vetme, pasi denoncime të tilla mbërrijnë çdo ditë.
Flet drejtori i Policisë së Shtetit
Burgaj: Afër zbardhjes së zhdukjes së Bleona Matës dhe vrasjes së Fatmir Xhindit
TIRANË - Zhdukja e Bleona Matës dhe vrasja e Fatmir Xhindit janë dy çështje që do të zgjidhen shumë shpejt, tha gjatë ditës së djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ai është shprehur optimist për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së 6-vjeçares Bleona Mata, e cila humbi gjurmët në Zapod të Kukësit më 22 maj 2010. Kreu i Policisë shqiptare ka pohuar se forcat e rendit janë të angazhuara maksimalisht në hetimin e ngjarjes së Kukësit duke theksuar se edhe vrasja e deputetit Famir Xhindi, ndodhur më 2 maj 2009 në Roskovec të Fierit, është drejt zbardhjes. Duke folur për hetimet që po zhvillohen mbi zhdukjen e 6-vjeçares në Kukës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj, tha se ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit e të Prokurorisë janë atashuar në Kukës. “Shpresojmë që do të bëjmë më të mirën e mundshme. Sigurisht, jo vetëm me Policinë e Kosovës, por dhe të Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit", - është shprehur kreu i Policisë, Burgaj. I pyetur nga media në lidhje me hetimet që po zhvillohen për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, është shprehur: "Të njëjtën gjë kam për të thënë, që asnjë dosje nuk do jetë e harruar, po punojmë intensivisht për këtë".
Të ndodhur në vendngjarje, misteri i zhdukjes së 6-vjeçares Bleona Mata po mban në Kukës prej tre ditësh një grup ekspertësh të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata nuk i kanë kërkuar të afërmit të vijnë në Tiranë, siç vepruan herën e shkuar, por kanë mbërritur personalisht në Zapod të Kukësit që prej ditës së martë. Burime zyrtare bëjnë me dije se prokurorët kanë rimarrë në pyetje për të dytën herë brenda 2 ditësh bashkëshortët Mata, 5 vajzat (njëra prej të cilave është halla e vajzës së zhdukur) që ditën e ngjarjes kanë qenë me të, si dhe një kushëri të vogëlushes. Mësohet se të tetë të shoqëruarit kanë dhënë edhe njëherë dëshmitë e tyre rreth ngjarjes së ndodhur më 22 maj të këtij viti, ngjarje kjo që dhe sot e kësaj dite ka mbetur në kufijtë e misterit. Pas marrjes në pyetje prindërit u lanë të lirë, kurse vajzat po mbahen ende në komisariat.
Lufta ndaj krimit, ngrihet një qendër e koordinimit ndërkombëtar
TIRANË - Njësia e Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit (ILECU) është krijuar në Tiranë për të koordinuar informacionin për ndjekjen penale kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Projekti i financuar nga Komisioni Europian, me vlerë rreth 2 milionë euro, do të aplikohet për 3 vite në vendet e rajonit, duke forcuar shkëmbimin e informacionit mes tyre dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare Interpol dhe Europol, me implementimin e Zyrës së Krimeve Federale të Austrisë. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, garantuan suksesin e projektit. “Shqipëria bëhet vendi i parë përfitues i këtij projekti, që në përputhje me parashikimet përfundon brenda një kohe rekord ngritjen e ILECU-t, duke demonstruar prerë dhe qartë vullnetin e hekurt, vendosmërinë dhe kapacitet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar për të qëndruar gjithnjë pararojë e proceseve reformuese në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit", - tha Lulzim Basha. “Zbatimi i këtij projekti është një gur themeli në politikën e sigurisë së vendit dhe në bashkëpunimin policor me Europën dhe gjithashtu me Austrinë. Me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit Shqipëria i dërgon Europës një sinjal të qartë. Me këtë projekt Shqipëria dëshmoi se është një vend model që duhet marrë shembull”, -tha Maria Fekter, ministrja e Brendshme e Austrisë. Memorandumi i Bashkëpunimit për koordinimin ndërkombëtar për zbatimin e projektit ILECU, u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, ministri i Financave dhe prokurorja e Përgjithshme.
Kontrolli në dyqan, zbulohen celularë kontrabandë
ELBASAN - Kontrolli në një dyqan celularësh në Elbasan ka përfunduar me zbulimin e një kontrabande të aparateve celularë. Mëngjesin e djeshëm forca të policisë së këtij qyteti kanë ushtruar kontroll ndaj një dyqani në lagjen “Luigj Gurakuqi” në pronësi të dy personave. Gjatë kontrollit u zbuluan 57 aparate celularë pa asnjë dokument përkatës. Sipas policisë, celularët rezultonin kontrabandë të importuar nga shteti italian dhe ishin të markave të ndryshme. Mësohet se hetimet po vazhdojnë, ndërkohë që dy pronarët e dyqanit, Haxhi Tirana dhe Anila Nushi, janë në ndjekje penale në gjendje të lirë.
Sherri mes grupeve, plagosen pesë të rinj
SARANDË - Pesë të plagosur ka qenë bilanci i një përleshje me thika e leva në një lokal në Plazhin publik të Pllakave. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, kur dy grupe janë konfrontuar ashpër me njëri-tjetrin. Agjentët e Policisë Kriminale kanë nisur menjëherë hetimet në vendin e ngjarjes, por ende nuk është bërë i ditur identiteti i grupit tjetër, anëtarët e të cilit dyshohen se janë autore e plagosjes së 5 të rinjve. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar të paktën 10 persona të plagosur me armë të ftohta në qytetin e Sarandës, por deri tani policia ka arritur të arrestojë vetëm një prej autorëve.
25 Qershor 2010