Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin për rrëzimin e ligjit Antimafie
Gjykata Kushtetuese ka marrë dje në shqyrtim ligjin “Antimafia”, të cilin Komiteti i Helsinkit e ka quajtur si antikushtetues.
Avokati i Komitetit të Helsinkit ka bërë me dije në seancën e Gjykatës Kushtetuese se Komiteti i Helsinkit kërkon shfuqizimin e këtij ligji për shkak se është i papajtueshëm me Kushtetutën. “Aplikimi i tij do të sillte pasoja të rënda dhe të pariparueshme për interesat e shtetasve, cenim të të drejtave dhe të interesave pasurore”, është shprehur përfaqësuesi i Komitetit të Helsinkit në seancën e Gjykatës Kushtetuese. Neni 134 pika 1,b thotë se në Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje nga çdo organizatë vetëm për çështje që cenojnë interesat e tyre. Në rastin e KSHH kjo zbatohet nga vetë objekti i kësaj organizate që përfshin dhe kujdesin për përsosjen e legjislacionit vendas”, ka bërë me dije avokati.
ArgumentetSipas Komitetit të Helsinkit, ligji cenon të drejtën e pronës, të drejtën për një proces të drejtë ligjor, të drejtën për kompensim, trajtim të barabartë dhe prezumim të pafajësisë.
“Ligji deformon institutin juridik të dyshimit të arsyeshëm duke e shndërruar atë në dyshim të arsyeshëm të bazuar në indicie.
Nuk mund të ketë një dyshim të arsyeshëm të mbështetur në indicie pasi i mbështetur në indicie ai nuk mund të jetë i arsyeshëm”, është shprehur avokati i KSHH. “Mungesa e garancisë ligjore për një proces të rregullt ligjor cenon të drejtat e lirisë, veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës të parashikuar në nenin 41 të Kushtetutës dhe në nenin 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi në mënyrë të paarsyeshme cenon legjitimimin, gjykimin apo vendosjen e masave me karakter pasuror ndaj çdo biznesi apo qytetar. Objekt i këtij ligji në mënyrë të drejtpërdrejtë bëhet e drejta e pronës”, përfundoi përfaqësuesi i KSHH-së.
SeancaGjykata Kushtetuese, në shqyrtimin e çështjes, ka dëgjuar dje mendimin e tre palëve, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Këshillin e Ministrave dhe Kuvendit. “Në nenin 12.1 të ligjit shkelen hapur parimet kushtetuese që kanë të bëjmë me procesin e rregullt ligjor dhe të drejtën e pronës. Në këtë nen parashikohet se kërkesa për vendosjen e sekuestros shqyrtohet nga gjykata në praninë e prokurorit. Ajo që bie në sy është fakti se ligji nuk e konsideron të arsyeshme praninë e personit ndaj pasurisë të të cilit do të aplikohet masa e sekuestros duke i mohuar atij të drejtën për proces të rregullt ligjor dhe parimin e eksesit efektiv. Ky parim shmanget vetëm në raste të veçanta”. Në këtë pikë e kanë mbështetur qëndrimin e tyre përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit.
#