Mungojnë fondet, bllokohet puna në rrugën e Gjinarit
Edhe për këtë verë pushuesit do të qëndrojnë larg pikës turistike të Gjinarit. Shkak është rruga e amortizuar që lidh këtë zonë me pjesën tjetër të vendit. Ndonëse ishte premtuar rikonstruktim i saj, me sa duken gjasat ajo nuk do të përfundojë as këtë vit dhe as vitin tjetër. E nisur me trumbetime paraelektorale dhe prerje shiritash, aty ku nuk janë prerë pyjet e Bukanikut turistik nga vetë Kryeministri Sali Berisha, punimet në këtë aks rrugor janë bllokuar për mungesë fondesh. Rruga është përllogaritur të kushtojë 4 miliardë lekë të vjetra dhe afati i dorëzimit të saj është fundi i muajit korrik të këtij viti. Në projekte përfshihet zgjerimi i shtratit të rrugës, veprat e artit dhe asfaltimi i saj me dy korsi. “Deri më tani kam vazhduar pothuajse me fondet e firmës sime, madje kam shtruar mbi 6 kilometra rrugë mbi plan, por tashmë nuk kam asnjë mundësi financiare që të vazhdoj, ndaj kam ndërprerë punimet”, tha dy ditë më parë pronari i firmës “Hysa” sh.p.k., Agron Hysa. Për hir të së vërtetës, pothuajse ka mbaruar faza e parë dhe e dytë e punimeve, ajo e zgjerimit dhe mbushjes së gjatësisë prej 22 kilometrash, ku dy firmat e nisën me shumë seriozitet punën. Por, në pritje të çeljes së fondit qeveritar, ka më se dhjetë ditë që janë bllokuar punimet në tërë gjatësinë e këtij aksi malor. Madje, firmat kanë tërhequr makineritë e rënda, duke i stacionuar në vende “xhepa” të kësaj rruge, rreth dy javë më parë me justifikimin se “nuk është e mundur të punohet pa u akorduar më parë fondi shtesë nga qeveria, ndërkohë që fondi në fjalë ka kaluar vetëm 15 për qind”. Kësisoj, ky aks rrugor që duhet të përfundonte në fund të këtij muaji, rrezikon të mbesë në këtë gjendje siç është katandisur deri në korrikun e ardhshëm, nëse nuk çelet fondi që nuk është dhënë. Kësisoj, edhe këtë vit qindra elbasanas apo dhe të huaj, që dëshirojnë të pushojnë në Gjinarin turistik, duhet të presin verën e ardhshme.
#