E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysen Koçia feston në TOB 70-vjetorin e lindjes

Tenori

Paraditen e djeshme, në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, është festuar 70-vjetori i lindjes së tenorit Hysen Koçia. Këngëtari u lind më 1 korrik të vitit 1940 në Shkodër. Kontaktet e para me muzikën i mori në kohën që kryente shërbimin ushtarak, pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë në vitin 1960. Studimet e mirëfillta i kreu vetëm kur u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës (sot Akademia e Arteve), në vitin 1962. Hysen Koçia ishte ndër studentët e parë që vazhdoi studimet për kanto në klasën e Avni Mulës. Në vitin 1967, një vit pas përfundimit të studimeve emërohet solist pranë TOB-it dhe në vitet 1972-1973 specializohet në Akademinë “Santa Cecilia” në Itali. Gjatë karrierës së tij artistike deri në vitin 2000 kur doli në pension, tenori realizoi në skenën e TOB-it me dhjetëra role dhe kryerole të literaturës operistike shqiptare e botërore, si dhe qindra koncerte vokale, recital me këngë popullore, pjesë e turneve koncertore të organizuara nga TKOB si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, në vende si Italia, Kina, Bullgaria, Rumania, Austria, Kanadaja, SHBA-ja, Greqia, Gjermania, Turqia etj. Hysen Koçia ka marrë pjesë aktive në pothuajse të gjitha aktivitetet kryesore, të jetës muzikore shqiptare, siç janë koncertet e majit, konkurset e këngëtarëve lirikë, festivalet e romancave etj. Për aktivitetin e tij është nderuar me shumë çmime lokale e kombëtare, si dhe me titullin “Artist i Merituar”. Disa nga rolet kryesore të tij janë Marin Shpendi te opera “Skënderbeu”, Doda te opera “Mrika”, Pali te “Zgjimi”, Loni te “Karnavalet”, Leka tek opera “Toka jonë”, tek opera “Karmen” ka interpretuar personazhin e Eskamilios, Galan Lugapasin tek opera “Borana”, Turidu te “Cavalleria Rusticana”, te “Trovatore” ka interpretuar rolin e Monrico-s, Alfredon te “La Traviata”, Canio-n te “I Pagliaçi” etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›