E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kërkon rikonfirmimin e grupeve, Ndoka ankohet tek Topi

 

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka ka zhvilluar mbrëmë një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi

TIRANË- Zhvillimet e fundit politike, sidomos brenda partive të vogla, ka sjellë dhe një ç'rregullim në përbërjen e grupeve parlamentare. Nisur nga një situatë e tillë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar gjatë seancës së djeshme se do të kërkojë nga kryetarët e partive parlamentare, por edhe nga deputetët, që të ribëjnë nga e para deklarimet e tyre për përkatësinë e grupeve kuvendore. "Do i bëj thirrje kryetarëve të partive dhe deputetëve, që të sjellin listat për grupet e tyre parlamentare", - është shprehur Topalli, por pa bërë të qartë mbi ç'bazë ligjore do e bëjë një kërkesë të tillë. Kjo pasi Rregullorja e Kuvendit përcakton se deputetët, në çdo fillim sesioni parlamentar bëjnë deklarimin e tyre me shkrim se në cilin grup parlamentar bëjnë pjesë. Një nismë e tillë e Kryetares së Kuvendit duket se ka lidhje me situatën e paqartë që është krijuar në grupin parlamentar të Partisë Demokristiane, nga cili gjatë kohëve të fundit ka pasur disa largime. Vlen të përmendet këtu se vetëm disa ditë më parë u largua nga drejtimi, por edhe nga të qenurit anëtar, deputeti Pashk Ujka, ndërkohë që më parë ishte larguar edhe ish-kryetari i partisë, Nikollë Lesi. Ndërkohë që për këtë situatë të krijuar në gjirin e demokristianëve, drejtuesit e PDK-së kanë akuzuar direkt Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si nxitëse të përçarjes dhe shpërbërjes së grupit. Situata e krijuar në Partinë Demokristiane ka qenë në qendër të bisedës që kreu i kësaj partie, Nard Ndoka ka zhvilluar dje me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në selinë e këtij të fundit. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur se përveç situatës së përgjithshme politike, pjesë e bisedës kane qenë edhe zhvillimet e fundit në këtë parti. Burimet saktësuan se Ndoka është shprehur gjatë takimit për interferimet, sipas tij, politike që po ndodhin nga Partia Demokratike si dhe për situatën e krijuar në PDK. Burimet cituan se takimi ishte thjesht informues, pa dalë në ndonjë qëndrim konkret nga Presidenti i Republikës lidhur me shqetësimet e kryedemokristianit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›