E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shfuqizon udhëzimin për fshirjen e mbivendosjeve

Avokati i Popullit fiton betejën ligjore me Këshillin e Ministrave

Laureta Rryçi

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë udhëzimin e Këshillit të Ministrave për procedurat që duhet të ndiqen për fshirjen e mbivendosjeve. Ndërsa të gjitha zyrat e hipotekave kanë më shumë se një vit që po shqyrtojnë rastet e mbivendosjeve, duket se pronat me të tilla probleme do të përfshihen në një kaos. Kushtetuesja nisi shqyrtimin e këtij udhëzimi pas kërkesës së Avokatit të Popullit. Institucioni i Avokatit të Popullit e ndërmori këtë nismë pas shumë ankesave të qytetarëve, të cilët ngritën pretendimin se gjatë këtij procesi po u cenohej e drejta e pronës.
Udhëzimi
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar Ligjin Nr. 9701, datë 2.4.2007, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’”. Neni 5 ka ndryshuar nenin 10 të Ligjit, duke shtuar dy paragrafë të tjerë me këtë përmbajtje: “Në rastet kur, për të njëjtën pasuri, janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil, duke bërë shënimin në kolonën përkatëse. Deri në nxjerrjen e vendimit të kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, si dhe njofton palën/palët e interesuara brenda 10 ditëve. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse. Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Në rast të mosmarrjes së vendimit nga kryeregjistruesi, zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile. Vendimi i kryeregjistruesit i njoftohet palës/palëve të interesuara brenda 10 ditëve dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse”. Këshilli i Ministrave, në mbështetje të këtij ligji, ka nxjerrë Udhëzimin Nr. 4, datë 21.11.2007, “Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre që krijojnë mbivendosje në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Procedura që lidhet me regjistrimin e fitimit apo kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të njohura ose të fituara me anë të ligjit, vendimit gjyqësor apo aktit administrativ, pas verifikimit të plotë të elementeve të formës dhe përmbajtjes së aktit përkatës, është parashikuar në Udhëzimin Nr. 1, datë 31.01.2007 “Për procedurat e regjistrimit në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Gjatë zbatimit të legjislacionit të sipërcituar, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë regjistruar ankesa nga persona fizikë e juridikë, të cilët kanë pretenduar cenimin e interesave të tyre nga këto rregullime ligjore. Këto ankesa janë marrë në shqyrtim nga ana e Avokatit të Popullit, mbi bazën e të cilave ai ka ushtruar nismën për një gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese, në bazë të nenit 134, pika 2 të Kushtetutës.
Pretendimet
Avokati i Popullit ka pretenduar se dispozitat ligjore të kundërshtuara janë antikushtetuese, duke argumentuar se: Fshirja e regjistrimeve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që barazohet me shpronësimin cenon të drejtën e pronës, të mbrojtur nga neni 41 i Kushtetutës dhe neni 1 i Protokollit 1 të KEDNJ (Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut). Sipas Avokatit të Popullit, këto dispozita binin në kundërshtim me rregullimin e nenit 17 të Kushtetutës, dispozitat ligjore të kundërshtuara përbëjnë një ndërhyrje joproporcionale dhe të pamotivuar në aspektin e interesit publik, duke cenuar edhe vetë thelbin e të drejtave dhe lirive themelore. Pezullimi i veprimeve mbi pronën dhe fshirja e regjistrimit të mbivendosjeve nga regjistruesit dhe kryeregjistruesi, pa një proces të rregullt gjyqësor, ka cenuar rëndë të drejtën e pronës, në kuptim të së drejtës së mbrojtur nga neni 42 i Kushtetutës.
Në të njëjtën kohë ishte cenuar parimi i ndarjes dhe i balancimit të pushteteve, i mbrojtur nga neni 7 i Kushtetutës, për arsye se normat e kundërshtuara i kanë dhënë një enti administrativ funksione të Gjyqësorit, që lidhen me pezullimin e regjistrimit dhe me heqjen e të drejtës së pronësisë. “Dispozitat ligjore, objekt shqyrtimi, kanë cenuar parimin e sigurisë juridike për arsye se kanë krijuar për një masë shumë të madhe pronarësh një ambient pasigurie që pasohet dhe me humbjen e besimit te shteti. Është cenuar barazia përpara ligjit, e mbrojtur nga neni 18 i Kushtetutës, për shkak se dispozitat ligjore i njohin të drejtën kryeregjistruesit të fshijë vetëm regjistrimet që nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, duke mos zbatuar të njëjtën procedurë për të gjitha mbivendosjet”, - thuhej në objekt padinë e ngritur nga Avokati i Popullit.

Box

Pretendimet e përfaqësuesit të Kuvendit
Përfaqësuesi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka kërkuar rrëzimin e kërkesës duke pretenduar se: Në çështjen në shqyrtim, kërkuesi, Avokati i Popullit, ka marrë pozitën procedurale të përfaqësuesit të një personi juridik e të shtetasit, duke përcjellë pretendimet e tyre në një gjykim abstrakt kushtetues. Këto subjekte nuk mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, qoftë edhe duke marrë si përfaqësues Avokatin e Popullit, përveçse në kushtet e kërkuara nga neni 134/2 të Kushtetutës.
Sipas përfaqësuesit të Kuvendit, Avokati i Popullit nuk ka dhënë ndonjë argument se zbatimi i ligjit, objekt gjykimi, ka shkelur të drejtat e njeriut. Fshirja me nënvizim e regjistrimit është një proces administrativ që nuk mund të heqë titullin e pronësisë. Juristi ka argumentuar se ligji, me ndryshimet e bëra, nuk shkel parimin e sigurisë juridike, por është në mbrojtje të këtij parimi për arsye se synon të mbrojë pronarin e vërtetë të një pasurie të regjistruar dhe të ndalojë krijimin e mbivendosjeve për shkak të papërgjegjshmërisë së administratës.

Pretendimet e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave

Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese rrëzimin e kërkesës duke pretenduar se: Avokati i Popullit nuk legjitimohet në çështjen në gjykim, pasi kjo çështje mund t’i paraqitej Gjykatës Kushtetuese prej gjykatave të zakonshme. Kërkuesi ka zgjedhur mjetin më ekstrem, duke kapërcyer mjetet e tjera si paraqitja e rekomandimeve apo propozimeve. Sipas tij, argumentet e paraqitura në kërkesë janë pasojë e interpretimit të pasaktë dhe të paplotë të tekstit ligjor, nëpërmjet leximit fragmentar, të shkëputur dhe të deformuar të tij, si dhe pretendimi për cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve është jashtë rrethit të çështjeve që mund të iniciojë Avokati i Popullit përpara Gjykatës Kushtetuese.
“Në kundërshtim me rregullimin e parashikuar në nenin 60 të Kushtetutës, Avokati i Popullit ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen e situatave, në të cilat, individi, në mënyrë të paligjshme, ka regjistruar titullin e pronësisë. Regjistrimet e mëpasshme nuk mund të ligjërojnë të drejtën e pronësisë për personat, në emër të të cilëve kryhet regjistrimi i paligjshëm. Ndryshimet në ligjin ekzistues nuk cenojnë të drejtën e pronësisë dhe as parimin e barazisë para ligjit, por njohin dhe garantojnë të drejtën e pronarit të ligjshëm. Fshirja e regjistrimit bëhet në respekt të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës dhe të praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pretendimi për cenimin e nenit 42 të Kushtetutës nuk qëndron për arsye se hartuesit e Kushtetutës, nëpërmjet formulimit “për një proces të rregullt ligjor”, kanë pasur për qëllim shtrirjen e kësaj të drejte si në procesin gjyqësor, ashtu edhe në procesin administrativ. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka marrë funksione që i takojnë pushtetit gjyqësor për arsye se ky organ shtetëror nuk është ngarkuar për të dhënë drejtësi, por vetëm për të rregulluar administrativisht pasojat e rrjedhura nga veprime të mëparshme, të kryera në kundërshtim me ligjin”, - kanë qenë disa nga argumentet kryesore që ka dhënë juristi i Këshillit të Ministrave për rrëzimin e kërkesës së Dobjanit.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›